Juventusi dhe Bajerni vazhdojnë të negociojnë për transferimin e Matajs de Ligtit në Mynih.
Nga vizita blic e drejtorit sportiv, Hasan Salihamixhiç, të hënën, nuk doli tym i bardhë, duke qenë se kampionët e Gjermanisë u prezantuan në Itali me ofertën më të ulët të mundshme për kartonin e qendërmbrojtësit holandez, 60 milionë euro, plus 5 milionë euro bonuse të lehta dhe 5 milionë euro bonuse të vështira për t’u arritur.
Bardhezinjtë kërkojnë të paktën 80 milionë euro shifër bazë dhe bonuse sa më të ulëta. Por nga fronti personal gjërat duket se po shkojnë mirë.
Sepse “Sport Bild” raporton se 22-vjeçari është gati për të ulur pretendimet e tij për rrogën vetëm që të firmosë me kampionët e Gjermanisë.
Në Torino, nga kontrata që skadon në vitin 2024, De Ligt përfiton një rrogë faraonike: flasim për 8 milionë euro neto, të cilat bashkë me bonuset shkojnë rreth 12 milionë euro në total.
Shifra këto që nga ajo që flitet në Gjermani, klubi i Bajernit nuk do të pranojë kurrë që t’ia paguajë.
Por dëshira e madhe e ish-talentit të Ajaksit për të shkuar te gjigantët e Bundesligës është aq e madhe sa ai është gati të bëjë edhe sakrifica.
“Sport Bild” zbulon se rroga që ai do të përfitojë nga kontrata me Bajernin do të jetë 8 deri në 9 milionë euro neto në sezon. Asgjë nuk duket se do ta pengojë Bajernin që të finalizojë transferimin e katërt këtë verë, pas asaj të Mazrauit, Gravenbershit dhe Sadio Manesë.
De Ligt dhe Bajerni sa vijnë dhe afrohen me njëri-tjetrin, ndërsa parashikohet që gjithçka të mbyllet brenda kësaj jave dhe mbrojtësi të udhëtojë me skuadrën e re drejt turit amerikan në 18 korrik.
Me të në skuadër, trajneri Julian Nagelsman do të zgjidhë përfundimisht çështjen e liderit që ka kërkuar në prapavijë, i munguar pas largimit të David Alabës drejt Realit të Madridit verën e shkuar.
Arena e Lajmit

Loading…
Loading…