“Jam i lumtur që do t’i kem në skuadër disa lojtarë me përvojë të sezonit të kaluar”, do të shprehej Nevil Dede në intervistën e parë si trajneri i Dinamos.
Thjesht për të përmendur disa emra, ai iu referua Bakajt, Imamit, Lilajt dhe Bardhit.
Janë disa nga të ashtuquajturit “senatorë”, ku mund të shtohen Demiri, Maliqi, Sidibe dhe ndonjë tjetër. Janë të gjithë nën kontratë dhe që kanë respektuar vendimet e klubit.
Ata janë paraqitur në stërvitje që ditën e parë, me ndonjë përjashtim, siç është rasti i lojtarëve të huaj. Por jo gjithçka mund të konsiderohet e mbyllur për këta lojtarë, të cilët mund të jenë ndoshta luks për Kategorinë e Parë.
KUSHTET E REJA
“Panorama Sport” mëson se ditët e fundit janë zhvilluar takime mes ortakut Kristjan Gjidodaj dhe disa prej “senatorëve” në lidhje me vazhdimin e bashkëpunimit.
Konkretisht, në këto takime individuale është diskutuar në lidhje me kushtet e reja të kontratës.
Takime kanë zhvilluar lojtarë si Lilaj, Demiri, Imami dhe Maliqi.
Është e qartë tashmë se për Kategorinë e Parë do të ketë një buxhet të reduktuar në krahasim me anë të Superiores, për të cilën lojtarët e sezonit të shkuar kanë firmosur kontratat ende në fuqi.
Palët kanë diskutuar, kanë bërë propozimet e tyre dhe tani pritet që të merret një vendim, me shumë mundësi brenda kësaj jave.
Nga sa mëson gazeta, ekziston vullneti nga të dyja palët për një akord të ri për vazhdimin e bashkëpunimit, por gjithsesi duhet pritur vendimi përfundimtar.
Është një situatë që në fakt duhet të marrë zgjidhje konkrete sa më parë, në mënyrë që më pas të punohet me qetësi dhe entuziazëm për sezonin e ardhshëm.
Ndërkohë, gazeta mëson se dje drejtuesit blu kanë takuar mesfushorin Asion Daja, duke i bërë ofertë zyrtare. Sot pritet një përgjigje përfundimtare nga lojtari.
TË HUAJT
E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me lojtarët e huaj të Dinamos, me emra si Sidibe, Denison apo ndonjë tjetër. Për momentin ata nuk janë bashkuar me skuadrën në stërvitje dhe sapo të kthehen nga vendet e tyre, do të diskutojnë për çështjen e kushteve të reja të kontratës.
Pjesa tjetër e lojtarëve janë në rregull me këtë pjesë. Gjatë ditëve në vazhdim do të mësohet më qartë se çfarë do të ndodhë, nëse të gjithë senatorët do të vazhdojnë të luajnë me fanellën e Dinamos apo do të ketë ndonjë firo tjetër.
FATJON RUPI – Arena e Lajmit

Loading…
Loading…