Franc Veliu jep shenja rikthimi te Flamurtari. Pavarësisht se ka oferta nga dy skuadra të Superiores, ish-kapiteni sheh si opsion edhe vlonjatët.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi qartëson se ka marrëdhënie shumë të mira me administratorin Sinan Idrizi dhe nuk ka asnjë pengesë që të vijë në shtëpi. Vlerëson punën për ndërtimin e skuadrës, por mendon se disa afrime cilësore i duhen.
Flamurtari ruajti grupin që mbylli sezonin në Vlorë. Si e gjykoni këtë vendim të klubit?
Pozitiv. Ata janë lojtarë me eksperiencë dhe që i kanë bërë mirë skuadrës. Ishin këta lojtarë që e ngjitën dhe e ndihmuan në një moment të vështirë.
A duhen përforcime në skuadër?
Patjetër që po. Unë besoj se presidenti Idrizi do të afrojë lojtarë që do të bëjnë diferencën dhe çojnë skuadrën aty ku e ka vendin. Skuadra do të kompletohet, pasi vetëm kështu do të përballonin kampionatin e gjatë që i pret.
Ngjitet kjo skuadër në Kategorinë Superiore?
Planet e drejtuesve me sa kam informacion janë të tilla, që të realizojnë ndërtimin e një skuadre, e cila të mos e vendosë në diskutim ngjitjen. Jam i bindur se shumë shpejt Flamurtari do të jetë aty ku e ka vendin. Edhe me afrimin e disa lojtarëve cilësorë, do ta realizojnë objektivin.
Gara me Skënderbeun, Dinamon dhe skuadrat e tjera vështirësohet. I druheni kësaj?
Flamurtari nuk do ta ketë aspak të vështirë nëse drejtuesit do të vazhdojnë me këtë seriozitet. Me Skënderbeun, Dinamon, Apoloninë dhe shumë skuadra të tjera, do të jetë një kampionat shumë interesant, i fortë, por edhe i bukur. Do të ketë një interesim shumë të madh për t’u ndjekur pasi janë skuadra me emër, traditë dhe histori në futbollin shqiptar.
Ku do ta vazhdojë Veliu karrierën sezonin e ri?
Aktualisht jam lojtar i lirë, pasi e mbylla aventurën në Kosovë. Për momentin jam në diskutime me dy skuadra të Superiores shqiptare. Nuk dua t’i zbuloj emrat, por me shumë mundësi do të jem në Shqipëri.
E keni menduar si opsion Flamurtarin?
Flamurtari është shtëpia ime. Aspak nuk e përjashtoj si mundësi rikthimin.
Ndoshta këtë sezon në Kategorinë e Parë?
Pse jo?! Jam në shtëpinë time. E kam menduar dhe e kam në plane. Është një mundësi mes ofertave të tjera.
E keni takuar administratorin Sinan Idrizi?
Po, jemi takuar dhe kemi folur. Kemi marrëdhënie shumë të mira me administratorin Idrizi. Sa i përket së ardhmes, e lëmë që të rrjedhë vetë. Jam i gatshëm të ndihmoj Flamurtarin për të shkuar ku e ka vendin.
– Arena e Lajmit

Loading…
Loading…