“Who is Who in Albanian Sport”

Nga BESNIK DIZDARI

Dizdari2

Huazova këtë titullen ciklopedik nga e famshmja “Who is Who in the World” (“Kush është Kush në Botë”), e cila në botimin e saj të vitit 1998, më pat përfshirë edhe mua si gazetar shqiptar (dikush ia kishte propozuar emrin tim). Dhe e huazova për këtë rubrikë të re që po më pëlqen ta hap sot, me një synim të vetëm: të nxis sadopak për të përkujtuar sportistët e shquar shqiptarë, po në stilin e “Who is Who in the World”.

Riza Lushta juventus

Pra, sa më shkurt e sa më saktë. Them se kjo rubrikë e herës së parë në krejt shtypin shqiptar, përveç të tjerave, ndoshta do të ndikojë – më fort se sa për t’i vënë gjërat në vend – për të kujtuar, pra, meritat e sportistëve dhe sportit shqiptar. Nja 10 vjet më parë kam pas dy kërkesa: nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve për një listë emërore se cilët mund të ishin sportistët e mëdhenj për t’i nderuar për 100-vjetorin e Pavarësisë, si dhe një kërkesë tjetër nga seksioni i Enciklopedisë Shqiptare për të drejtuar sektorin e sporteve.

E edhe këtu përgatita një emëror sportistësh të cilët meritonin të hynin në Enciklopedinë disavëllimshme të Shqipërisë. Mirëpo, ja që mbas pak, për shkak të vështirësisë së jashtëzakonshme, subjektive e objektive të kësaj ndërmarrjeje tejet zyrtare e shtetërore, hoqa dorë. Ajo ishte një punë titanike. Tash nuk di se çka është bërë më tej. Ndërkaq, kujtoj se kërkova që lista ime të shuhej prej regjistrimit në kompjuter, që të mos quhesha bashkëpunëtor, përderisa dhashë dorëheqjen. Natyrisht, pa harruar plagjiatët!…

Kanë kaluar gjithë këto vite. Historia e sportit shqiptar është në një krizë të thellë të kujtesës, ashtu si dhe vetë sporti shqiptar. Sportistë të panumërt të shquar janë harruar, as nuk përmenden, madje shpesh përmenden shtrembët, përveç të tjerave, pa radhën e duhur më të mundshme të vlerave apo meritave. E këtu përgjegjësi të madhe mbajnë vetë shtypi e TV apo botimet e ndryshme, që si askund në botë, janë pa recensentë ekspertë, pa këshilla redaksie televizive a gazetarie. Dhe botojnë pa ndalë, duke i besuar shpeshherë qorrazi, madje, atij që shkruan, që mund të rrêjë rregullisht ngaqë nuk di, nuk verifikon, nuk shfleton për së mbari, e tjerë e tjerë…

Riza Lushta LOGO

Kësisoj, vendosa të hap këtë rubrikë që nuk ka ekzistuar kurrë te ne, e cila mendoj se nuk mund të ketë fund. Çka do të thotë se mund të vazhdojë ndër breza. Sigurisht, po e filloj krejt simbas mendimit e arkivit tim, që, për hir të së vërtetës, nuk është i varfër. Dhe e sendërtuar deri diku simbas modelit të enciklopedive të kësaj natyre – e kam fjalën si një enciklopedi e emrave të përveçëm në këtë sektor – por në këtë rast kushtuar sportistëve të sportit shqiptar. Pa marrë përsipër që shkrimet, të shkurtra, vetvetiu lakonike, të shoqërohen detyrimisht me foto, sepse kjo nuk është qëllimi përparësor. Po e filloj pra, pa parashikuar asgjë se si mund të ecë ajo.

Tash përtash nuk do të ketë mirëfilli radhë alfabetike. Gjithçka këtu do të jetë një rendor sa objektiv, aq dhe subjektiv, i “themeluar” prej një autori të vetëm, e pra, që do të mund të ngjallë diskutime. Diskutime që në këtë “jokulturë” historike të sporteve në Shqipëri mund të nxisin argumente e larmi gjykimesh, kundërshtish, miratimesh, rregullimesh, përmirësimesh. Çka duhet të jenë të mirëpritura.

RIZA LUSHTA

E, megjithatë, për një gjë po siguroj: në këtë “Who is Who” – ndonëse kësisoj të “personalizuar” – nuk do të përfshihet asnjë njeri që nuk e meriton të nderohet e të kujtohet. Si fund, mund të them pra, se do të jetë e pamundur që gjithçka të jetë e përkryer e pa gabime apo dhe të ndonjë pasaktësie të vogël. Për çka mirëpres “errata corrige”-t shoqërore prej kujtdo që di. Shkrimet do të botohen përherë me germa kursive në bold. Po e filloj me Riza Lushtën e madh.

“WHO IS WHO IN ALBANIAN SPORT” RIZA LUSHTA (1916-1997)

Futbollist. Është nga Gjakova (Kosovë). I Sportklub Tiranës në vitet ’30. Futbollin e fillon në konviktin “Malet tona” në Shkodër. Shpejt vjen në Tiranë si nxënës në Shkollën Teknike. Qysh 18 vjeç është titullar i Sportklubit, në rolin e qendërsulmuesit apo të gjysmësulmuesit. Është kampion me SK Tiranën më 1936,1937, 1939, 1940. Më 1937 ishte kryeshënuesi i Kampionatit me 25 gola në 18 ndeshje, që do të thotë më shumë gola se ndeshje, raport fenomenal gola/ndeshje në historinë e kampionateve kombëtare të futbollit botëror, ndërsa për kampionatet e Shqipërisë një rekord ende i pathyer.

Në fund të vitit 1939 kalon te skuadra italiane e Barit drejtpërdrejt në Kampionatin kombëtar të Italisë. Luan ndeshjen e parë më 7 janar 1940 në Bari-Venezia, 3-0. Duke u bërë kështu sportisti dhe futbollisti i parë shqiptar që merret nga një skuadër e një shteti tjetër, madje të Italisë – Kampione e Botës në fuqi. Mbas pak muajsh kalon te Juventusi, me të cilin më 6 tetor 1940 zhvillon ndeshjen e parë për Kampionatin Italian, Lazio-Juventus, 2-2, ndërsa më 20 tetor 1940 në ndeshjen Juventus-Genoa, 2- 0, shënon golin e parë.

Shpejt bëhet lojtari numër 1 i Juventusit, me të cilin më 1942-shin fiton Kupën e Italisë, duke shënuar 3 gola në ndeshjen finale 4-1 kundër Milanit. Mbas 4 vitesh me Juventusin (deri më 2020-ën me 56 gola është midis 10 golashënuesve më të mirë të huaj të këtij klubi), luan në disa skuadra italiane. Luan edhe në Francë me Cannes. E mbyll karrierën më 1952-shin me Rapallo. Skeda e kampionateve të tij është kjo:

Riza Lushta konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë të Kampionatit italian dhe arrin të grumbullohet me Kombëtaren e Italisë nga trajneri legjendar Vittorio Pozzo më 1940-ën për ndeshjen ItaliHungari, ndonëse nuk luan.

Ai ishte një sulmues race, siç thuhet. I një teknike e krijimtarie të rrallë të lojës, një golashënues shumë shpesh i papërmbajtshëm. Më 1946-ën u ftua nga Shqipëria për të ardhur për Kombëtaren e saj për Lojërat Ballkanike. Me një letër diplomatike e miqësore, ai refuzoi ardhjen. Në Shqipëri, deri më sot nuk i është bërë asnjë nderim, me gjithë propozimin e disahershëm të autorit të këtushëm. Në Kosovë, stadiumi i Mitrovicës mban emrin e tij.

(Autor: BESNIK DIZDARI)


Loading…

Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×