Kukësi tenton Vokli Laroshin.
Verilindorët kanë bërë këtë sezon merkato në të gjitha repartet, përveç portës, ku në fakt me mbylljen e sezonit u largua Dashamir Xhika dhe ende nuk u gjet një pasues për të.
Emri më i fundit që ka dalë në skenë është ai i gardianit të Partizanit, për të cilin në Kukës kanë shprehur dëshirën për ta pësuar në skuadër dhe i bërë konkurrencë Angelo Tafasit, i cili rinovoi për tri sezone.
Të dy portierët kanë qenë pjesë e Shpresave të Shqipërisë dhe konkurronin për një fanellë titullari, ndërsa tani mund ta bëjnë sërish, kësaj here te Kukësi.
Aktualisht te verilindorët, përveç Tafasit është edhe Fatjon Çollari, ndaj nevoja për një tjetër gardian është kthyer në një domosdoshmëri, edhe pse sytë mund të hidhen edhe poshtë te moshat.
PRAPASKENAT – Për momentin burime të gazetës pranë klubit kuksian pohojnë se bëhet fjalë vetëm për një alternativë në portë që po shqyrtohet dhe ende nuk kanë nisur bisedimet me klubin e Partizanit.
21-vjeçari është nën kontratë me klubin e kuq edhe për dy sezone të tjera, ndaj kjo dëshirë nuk do të jetë e lehtë të konkretizohet.
Fakti që te të kuqtë aktualisht janë katër portierë, mund të bëjë që kryeqytetasit ta shohin si opsion largimin e cërrikasit, i cili te verilindorët do të kishte më shumë hapësira dhe do të luftonte për një fanellë titullari.
Opsioni më i mundshëm duket ai i huazimit për të paktën një vit, por që nuk parapëlqehet te kuksianët, të cilët preferojnë që ta kenë lojtarin të tyrin, edhe pse më parë do të duhet një marrëveshje me të kuqtë.
Mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet në vazhdim, por fakti që dy ekipet kanë marrëdhënie të mira me njëritjetrin, mund ta bëjë më të lehtë arritjen e një marrëveshjeje që të kënaqë të gjitha palët e përfshira në këtë operacion.
VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit

Loading…
Loading…