Vasil Ruci mendon se me disa përforcime Flamurtari e kap elitën për 100-vjetorin. Në një prononcim për “Panorama Sport”, legjenda e futbollit vlonjat shpreh besimin te projekti i administratorit Sinan Idrizi. Vlerëson grupin aktual, e megjithatë e quan të domosdoshme merkaton. E thënë troç: vetëm me afrime cilësore, kuqezinjtë do të marshojnë të sigurt drejt elitës.
“Me disa afrime cilësore, Flamurtari nuk do ta ketë të vështirë që të ngjitet në Superiore. Ne duam shumë që skuadra të kthehet aty ku e ka vendin në këtë ditëlindje shekullore. Uroj shumë që kjo të ndodhë. Kam besim te projekti i presidentit Sinan Idrizi. Në përbërje kanë vërtetë lojtarë cilësorë, që do të dinë të marrin mbi supe peshën e madhe të kësaj fanelle.
Pa dyshim që objektivi i të gjithëve është që kuqezinjtë të shkojnë sa më shpejt në elitë, pasi nuk është për këtë nivel. Me ruajtjen e grupit, mendoj se do t’ia dalin. Por kjo nuk do të thotë që nuk duhen afrime të tjera. Duhen patjetër. Drejtuesit e kanë marrë seriozisht dhe me sa po shoh po punojnë fort për ta mbyllur me kokën lart sezonin 2022- 2023.
Na bëhet qejfi të gjithëve që i ‘lanë’ duart me Kategoria e Dytë dhe u ngjitën, për të marshuar të sigurt drejt misionit madhor. Shpresoj që 100- vjetorin e klubit ta festojmë sikundër na e do zakoni dhe historia. Këtë e do çdo dashamirës i Flamurtarit dhe jo vetëm unë”, shprehet fillimisht Ruci. GARA – Ish-trajneri dhe ish-futbollisti i njohur vlonjat e shikon tepër të vështirë garën në Kategorinë e Parë. Parashikon një “luftë” të ashpër, ndërsa vlerëson si pretendente Dinamon. Nuk ndan këtë mendim për Skënderbeun, që sipas tij nuk po jep shenja shumë pozitive.
“Do të jetë një kampionat shumë i vështirë. Mjafton të shohësh emrat e ekipeve pjesëmarrëse, për të kuptuar këtë. Kjo do ta bëjë edhe të bukur njëkohësisht garën. Janë klube me emra dhe traditë të madhe në futbollin shqiptar, që kanë dhuruar emocione, kanë bërë histori, por edhe kanë nxjerrë talente.
Dinamo po forcohet dhe do të bëjë merkato të mirë, duke qenë potencialisht kandidat për t’u ngjitur në Superiore. Skënderbeu për momentin nuk duket ndonjë rival i fortë, nuk po shohim ndonjë gjë që të na tërheqë dhe të themi po lëviz seriozisht. Unë po shoh në këndvështrimin tim, që po forcohen edhe skuadrat e veriut, si Puka apo edhe të tjera. Besoj se edhe ato do të japin maksimumin e tyre. Pra, nuk do të jetë një kampionat i lehtë për asnjë skuadër”, përfundon Ruci.
Arena e Lajmit

Loading…
Loading…