Jashtë Enur Totre dhe Devid de Silva. Luajnë Florent Hasani dhe Klevi Qefalija.
Kjo është përmbysja e madhe e formacionit në prag të sfidës me Zrinjskin.
Në vigjilje të ndeshjes me boshnjakët, trajneri Orges Shehi ndërron 11-shen dhe janë të paktën dy titullarë që mbeten jashtë.
Në fakt, nuk ndryshon skema e lojës, por nga ana tjetër ndryshojnë emrat dhe vendosjet në fushën e lojës.
Sipas skemave të Shehit, Seferi do të luajë si sulmues kryesor, ndërsa majtas luan Xhixha dhe djathtas Hasani.
Në mesfushë kthehet Limaj, ndërsa Aleksi bashkohet me Qefalinë, i cili nëse luan sot titullar, debuton në Europë.
Pjesa tjetër e skuadrës nuk ndryshon e që fillon nga Bekaj në portë, Toshevski, Behiratçe, Najdovski e Ismajlgeci në mbrojtje.
STËRVITJA – Gjatë ditës së djeshme Shehi është marrë më shumë me taktikë, ndërsa ka punuar edhe me goditjet e dënimit apo të këndit. Enur Totre nuk e ka dhënë veten ashtu si edhe De Silva, ndërsa hareja ka ekzistuar në skuadër. Për 90 minuta Shehi ka punuar i qetë dhe më pas skuadra është nisur në grumbullim.
FITIMET – Pavarësisht se çfarë ndodh në këtë sfidë, klubi do të arkëtojë minimalisht mbi 1 miliard lekë.
Në bazë të llogaritjeve, bardheblutë vetëm me trofeun grumbullojnë 200 mijë euro për çdo raund kualifikues të luajtur.
Sipas skemës, nëse Tirana luan në turin e parë kualifikues të Champions-it, merr 100 mijë euro për një tur.
Pas eliminimit nga Championsi, skuadra kalon në turin e dytë të Conference League dhe vetëm për aktivizimin merr 100 mijë euro. Nëse eliminohet edhe nga turi i dytë i Conference League dhe kthehet në shtëpi, veç 200 mijë eurove, Tirana merr 350 mijë euro si bonus.
Kësaj shume i shtohen edhe 260 mijë euro që çdo skuadër kampione e cila shkon në Europë merr nga UEFA.
Në total, vetëm me eliminim, Tirana grumbullon 810 mijë euro ose me kursin e djeshëm të euros, 995 milionë lekë.
Kësaj shume i shtohet edhe 100- milionëshi i FSHF-së. Në total, Tirana grumbullon nga titulli 1.1 miliardë lekë të vjetër.
OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit

Loading…