Besir Demiri dhe Edis Maliqi nuk do të jenë pjesë e Dinamos për sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë.
Besir Demiri, mesfushori 27-vjeçar
Dy lojtarët me eksperiencë do të mbyllin gjithçka këto ditë me blutë, për të nisur një aventurë të re sezonin e ri, në Shqipëri apo diku tjetër.
“Divorci” mes palëve nuk është bërë ende zyrtar, por ndarja duket e pashmangshme.
Atë e përforcon më shumë fakti që lojtarët nuk po stërviten më me skuadrën kryeqytetase. Janë largime të rëndësishme këto për trajnerin Nevil Dede, pasi që të dy mendoheshin titullarë.
Numri i të larguarve nga skuadra e sezonit të kaluar rritet kështu në 9, duke u bërë gati një formacion.
Përveç Demirit dhe Maliqit, nga blutë janë larguar Ibraimi, Sofranak, Isaevski, Siljanovski, si dhe tre lojtarët që kishin ardhur në huazim nga Apolonia: Romeo Harizaj, Redon Mihana dhe Rimal Haxhiu.
Edis Maliqi, mbrojtësi 26-vjeçar
NJË SEZON BLU – Besir Demiri dhe Edis Maliqi u bashkuan me blutë gjatë merkatos së verës së sezonit që shkoi, ashtu si gjithë pjesa tjetër e lojtarëve.
I pari ishte titullar gjithë sezonin dhe nga mbrojtës i majtë u shndërrua në një mesfushor qendre, por disa herë u përshtat edhe si qendërmbrojtës.
27-vjeçari luajti 33 ndeshje dhe shënoi edhe një gol, atë ndaj Kukësit në transfertë. I dyti u aktivizua plot 28 ndeshje, 19 nga të cilat si titullar.
Edhe 26-vjeçari ka veshur fanellën e Kukësit në kampionatin shqiptar. Aventura e këtyre lojtarëve nuk zgjati më shumë se një sezon me kryeqytetasit, ndonëse kishin kontrata afatgjata.
Drejtuesit tani duhet të kërkojnë një mbrojtës të djathtë dhe një mesfushor tjetër.
TAKIMET PËR KONTRATA – Gazeta bëri me dije ditë më parë se drejtuesit e Dinamos bënë disa takime me ata që konsideroheshin “senatorët” e skuadrës, ku bënin pjesë edhe Demiri dhe Maliqi.
Fokusi i këtyre takimeve kishte të bënte me kushtet e reja të kontratës, pasi dihet që Dinamo do të ketë një buxhet më të ulët në krahasim me atë të Superiores.
Nga sa kuptohet, këto takime nuk janë mbyllur pozitivisht dhe tashmë mesfushori dhe mbrojtësi i djathtë do të përshëndeten me blutë, të cilët sezonin e ri do të luajnë në Kategorinë e Parë.
Ndryshe është situata për “senatorë” të tjerë, si Lilaj, Imami dhe Bardhi, që do të vazhdojnë të jenë pjesë e Dinamos.
Po ashtu, nga skuadra e Superiores kanë qëndruar portieri Bakaj, mbrojtësit Mija dhe Prodani, Denison dhe disa të rinj. Pritet të rikthehen edhe futbollistët afrikanë.
FATJON RUPI – Arena e Lajmit
Loading…
and then