Paulo Dibala ka dhënë intervistën e tij të parë të mirëfilltë për faqen e klubit të Romës, duke treguar emocionet e tij pas firmës me verdhekuqtë. Lojtari argjentinas ka treguar pse bëri këtë zgjedhje, duke i dhënë shumë merita Murinjos.
“Çfarë më bindi nga Roma? Shumë gjëra. Telefonata e trajnerit, e drejtorit, që fola me presidentin dhe pronarët. Më dhanë siguri dhe trajneri ishte i qartë me idetë e tij. Kjo ishte e rëndësishme, pastaj të luaj për këtë skuadër, për atë që përfaqëson, për qytetin, Italinë dhe në botë.
Murinjon e njohin të gjithë për atë që përfaqëson në botën e futbollit, për atë që ka bërë dhe për atë që do të bëjë. Telefonatat e tij më kanë emocionuar, kemi folur gjatë. Unë kam luajtur me më të mirët e historisë të futbollit dhe tani mund të punoj me një nga trajnerët më të fortë të historisë së futbollit”, tha Dibala.
Ai ka zgjedhur fanellën me numrin 21 edhe pse klubi i kishte propozuar 10-ën e cila ka mbetur bosh që nga largimi i Françesko Totit.
“Fola me drejtorin, më kishte propozuar që të vishja numrin 10, që është shumë e rëndësishme këtu për shkak të Totit. Mendoj se ai numër dhe ajo fanellë duhet të jetë ende e tija për atë që përfaqëson. I falënderova, për të mbajtur një fanellë të tillë duhet respekt dhe përgjegjësi, ajo është ende fanella e tij. Ndoshta një ditë mund ta mbaj, por sot mbaj atë 21 që është një numër i rëndësishëm me të cilin kam filluar të fitoj dhe shpresoj që një gjë të tillë ta bëj edhe këtu”, ishin fjalët e Dibala.
Arena e Lajmit

Loading…