Përtej atmosferës pozitive, që e rrethon gjatë tërë periudhës përgatitore që Egnatia po kryen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, trajneri Edlir Tetova ka edhe një sfidë me veten. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai vlerëson me objektivitet hapat që janë hedhur deri tani, duke llogaritur edhe miqësoren e parë të humbur ndaj Strugës pasditen e së hënës, së cilës bashkë me tërë rrugëtimin deri para startit të kampionatit, tekniku durrsak i rrogozhinasve i shton kryefjalën “do të përmirësohemi dhe konsolidohemi” shpejt, dhe objektiv mbetet përfaqësimi sa më dinjitoz, madje më mirë se sezoni i kaluar.
Miqësorja e parë kaloi me humbje. Si e vlerësoni paraqitjen e Egnatias?
Janë vetëm pak ditë që skuadra po kryen stërvitjet e saj dhe duhet thënë se gjendja e përgjithshme akoma nuk ka arritur pritshmëritë tona. Në miqësoren me Strugën ndeshja qe krejtësisht e barabartë e në fakt edhe rezultati i tillë duhet të ishte, por ne pasi e rihapëm ndeshjen me dy golat e Dzon Delarzhe, humbëm një 11-metërsh po me të njëjtin lojtar, dhe në fund të lojës kishim edhe disa raste të tjera më se ideale, që duhet t’i kishin dhënë tjetër rrjedhë rezultatit.
Pamë ndaj Strugës një formacion, që me përjashtim të brazilianit Xhekson Santos, të gjithë lojtarët e tjerë janë të ardhur rishtas. A krijon kjo probleme për momentin?
Deri në 20 gusht, kur starton kampionati, mendoj se koha është e mjaftueshme që jo vetëm të kapërcehet, por dhe të përmirësohet e konsolidohet. Madje, jo vetëm çështja e formacionit tonë kryesor me gjithë ndryshimet e fundit që kanë ndodhur, por dhe tërë lojtarëve të tjerë që do të kemi në dispozicion.
Cilat probleme do të keni parësore deri më 5 gusht, kur do të luani miqësoren e fundit në tokën maqedonase?
Pa diskutim stërvitja me ngarkesat maksimale në aspektin fizik dhe atë tekniko– taktik dhe harmonizimi i lojës së pjesës së futbollistëve me moshë të re, por me ambicie, të cilët mendoj se sikurse edhe ne, i kanë idetë e qarta për vazhdimësinë dhe kontributet e tyre të prekshme në skuadër. Optimizmi që mbretëron në skuadrën tonë krijon edhe prej kushteve ideale, ku po kalojmë fazën përgatitore të kësaj vere, që të kemi realisht të gjitha shanset për ta konsideruar që tani Egnatian një skuadër më të fortë nga sezoni i kaluar.
A pritet të ketë ndërhyrje të tjera në merkato?
Bashkë me presidentin Agim Demrozi, që na ka krijuar kushtet ideale për punën e skuadrës, por edhe në konsultimet e vazhdueshme me pjesëtarët e tjerë të stafit, që janë shembull për impenjimin e tyre, mundet të kemi edhe ndonjë plotësim tjetër në ditët në vijim, sidomos në mesfushë dhe sulm, pasi porta dhe mbrojtja mendoj se do ta marrin më shpejt kompaktësinë që na nevojitet.
FATMIR EFICA – Arena e Lajmit

Loading…