Sinan Idrizi i cilëson si “uragan” tre afrikanët që kanë marrë në merkato. Administratori mendon se kanë goditur me Roland Zan Bi, Zana Amidou Silue dhe N’Goram Emmanuel Kouame.
E megjithatë, paralajmëron surpriza të tjera. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, saktëson se do të marrin edhe katër lojtarë të tjerë.
Dy prej tyre i quan befasinë e madhe dhe nuk është habi të bëhet fjalë për Mentor Mazrekajn e Renato Malotën. Gjë që, nuk është se e konfirmon kur pyetet, por saktëson që do të jenë “goditje” të mirëfillta.
“Afrikanët që kanë ardhur kanë qenë ‘qamet’ aty ku kanë luajtur. Janë lojtarë të nivelit të lartë dhe klas. Them se do të shfaqin edhe te Flamurtari cilësitë e tyre, që i kanë për t’u admiruar.
Në këto kushte, unë jam shumë i bindur se kemi bërë goditjen e duhur me këta lojtarë dhe që janë vendosur tashmë nën urdhrat e trajnerit Resuli dhe stafit teknik.
Cilësitë e tyre do të shfaqen më mirë dhe dalin në pah kur t’i kemi në fushën e lojës, por kam marrë opinione pozitive edhe nga stafi teknik.
Merkatoja do të vijojë. Edhe lojtarët shqiptarë që kemi prezantuar më parë, mund të mos kenë shumë emër, por kanë mbajtur peshë të madhe në skuadrat ku kanë luajtur.
Nuk keni parë gjë akoma. Do të kemi edhe të paktën katër lojtarë që do të vijnë. Po shikojmë nga tregu i huaj, por edhe nga ai vendës.
Jemi në rrugën e duhur. Dy të tjerë që do të vijnë janë superlojtarë. Por i kemi surprizë ata.
Kështu që, prisni dhe do të shikoni. Do të ndërtojmë një skuadër shumë konkurruese, siç e kam thënë edhe më parë”, shprehet fillimisht numri një i klubit kuqezi.
KONFIRMIMET
Nuk bëhet pishman që ruajti grupin, madje e cilëson një vendim të duhur ruajtjen e grupit të lojtarëve. Mendon se lojtarët që nuk janë vlonjatë, e kanë respektuar skuadrën më shumë se vendësit.
“Ne mbajtëm grupin e lojtarëve që mbyllën sezonin në Vlorë, pasi ata bënë mirë dhe realizuan objektivin.
Por janë edhe djem të mirë dhe pozitivë, që i bëjnë vetëm mirë skuadrës dhe kanë shfaqur respekt ndaj saj, duke ndier edhe peshën e rëndë të fanellës së Flamurtarit. Besoj se bëmë mirë që i mbajtëm këta lojtarë, pasi ata kanë eksperiencën e duhur.
Kanë luajtur në Superiore dhe kanë cilësi shumë të mira.
Mbi të gjitha, tashmë njihen me njëri-tjetrin pasi kanë kohë që stërviten dhe luajnë bashkë. Kam vlerësim maksimal për secilin prej tyre, pasi qëndruan te Flamurtari në momentet më të vështira.
Respekt të veçantë për lojtarët jovlonjatë, që nuk e braktisën skuadrën në momentet më të vështira si vlonjatët”, thotë administratori.
OBJEKTIVI
Sinan Idrizi i mëshon kodit “2023”, sa herë që pyetet për objektivin. Madje, i prerë thotë se stafi teknik dhe lojtarët e dinë mjaft mirë çfarë pritet.
“Objektivi dihet, pritshmëritë e vlonjatëve janë të mëdha. E kemi thënë shumë herë, kodi ynë është ‘2023’. Stafi teknik dhe lojtarët e dinë këtë gjë.
Nuk ka asnjë justifikim. Janë këtu të bëjnë maksimumin e tyre. Në fund të këtij sezoni që presim të nisim, do të bëjmë maksimumin për të arritur objektivin që duam.
Kjo skuadër e di mirë këtë gjë dhe nuk ka asnjë justifikim për asnjë. Unë po bëj gjithçka për të plotësuar çdo kusht dhe për një Flamurtar dinjitoz”, përfundon administratori i vlonjatëve.
– Arena e Lajmit

Loading…