Teuta po vazhdon fazën përgatitore për sezonin e ri të Superiores dhe Kupës së Shqipërisë në qytetin e Korçës prej tri ditësh. Trajneri Renato Arapi edhe ditën e djeshme kishte planifikuar dy seanca stërvitore. Në prolog të stërvitjes, ai u foli futbollistëve për programin stërvitor.
Ai insistoi se ‘Teuta ka një grup kompetitiv dhe me pak më tepër impenjim mund të arrihen gjëra të mëdha në këtë sezon të ri’. Ekipi është stërvitur normalisht dhe i gjithë grupi është në gjendje optimale. Stafi teknik do të kenë një detyrë të vështirë deri ne riformatimin e plotë të ekipit, ndërsa prej tri javësh kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri. Skuadra e Teutës po punon fort në disa aspekte, duke nisur nga ana tekniko-taktike dhe disiplina, deri te përgatitjet fizike. Ajo çka është më kryesorja lidhet me faktin që të gjithë futbollistët janë të angazhuar për të kryer me korrektësi të gjithë planin stërvitor. Gjatë seancës stërvitore të pasdites, programi përmban krahas nxehmjes, veprime me top dhe pa top.
Numri një i pankinës durrsake është shumë kërkues, së pari ndaj vetes dhe më pas ndaj lojtarëve, duke kërkuar seriozitet dhe impenjim maksimal në seancat stërvitore. Edhe në radhët e lojtarëve mbizotëron një atmosferë pozitive, ku të gjithë besojnë se në sezonin e ri do të bëjnë një paraqitje dinjitoze dhe do të sigurojnë suksese, që në sezonin e fundit i munguan Teutës.
ZAMIR QYPI – Arena e Lajmit
Loading…