
Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të hënë në ceremoninë e mbajtur për 50-vjetorin e krijimit të Akademisë së Shkencave, e cila u zhvilluar në sallën e parlamentit. Gjatë fjalës së tij kryeministri vlerësoi akademinë gjatë kohës së komunizmit duke thënë se ishte një institucion që qëndronte i mënjanuar nga ndikimi politik dhe shoqëror i vendit ndërsa nuk i kurseu batutat për kreun e saj Skënder Gjinushi.
Ai shtoi se u desh një akademik i asaj kohe si Skënder Gjinushi, i cili do të bënte reformimin e institucionit dhe do të mbillte filizat për akademinë e së ardhmes duke e cilësuar të paoksidueshëm.
“Fal reformës së vitit 2019 e cila u realizua nën një ndërveprim të udhëhequr nga Akademia e Shkencave dhe përsëri edhe kjo u realizua në lidershipin e Skënder Gjinushit, imagjinojeni sa domethënëse është kjo.
Përsëri duhet dikush i asaj kohe akademike që të garantoj këtë kohë kaotike me shpresën që do të kemi dhe ne kohën tonë akademike.
Sot akademia nga një vend i pashpresë përshpirtjesh, ku mbledhjet më të rëndësishme ishin ato që i jepnin lamtumirën ndonjërit që ikte në botën tjetër është kthyer në një hapësirë që po mbillen fidanët e të nesërmes”, tha Rama.
Gjithashtu ai shtoi: “Akademia edhe në atë kohë aq të zymtë në aspektin e lirisë qëndronte mënjanë nga ndikimi politiko shoqëror i vendit. Një ndër episode që do të doja të rikujtoja është fjalimi i lamtumirës së Aleks Budës në varrimin e Selman Rizës.
Thuhet se ky akt i Aleks Budës si dhe prania në varrimin e gjuhëtarit bëri bujë qoftë në institute qoftë në mjedisin politik. Por qëndrimi i profesor Budës ishte një sfidë ndaj regjimit, por një shprehje e mënjanësisë së akademisë në nderim të dijes dhe rrugës së shkencës. Një nderim për një punë kolosale siç ishte puna e Selman Rizës kushtuar kombit. Para 90-ta ishte koha kur liria ishte e kufizuar dhe mundësitë e njerëzve të shkencës ishin tepër të ngushta. Por krahasimi para dhe pas 90-ës e bën pas 90-ën të ndihet jo mirë përpara atyre veprave dhe figurave. Në këndvështrimin tim tu them të drejtën kur vizitoja Akademinë e Shkencave pas 90-ës dhe dëgjoja ato kërcëllitjet e parketit të vjetër më duket sikur ishte Eqerem Çabej që përdridhej në varr. Një tregues për gjendjen e atij institucioni.”
Përballë sallës me akademikë, në fund Rama tha se do e ketë të vështirë seancën e ardhshme.
“Me shumë nderim për të gjithë ju edhe me një kënaqësi të madhe që e pashë këtë sallë të pushtuar akademikisht dhe duke ju siguruar se do jetë një pamje e paharruar për mua që do ma bëjë më të rëndë seancën e ardhshme të parlamentit, por do ta përballoj siç kemi përballuar dhe gjëra më të rënda ju shpreh gjithë mirënjohjen dhe respektin tim për sa i keni rezistuar injorantëve, dallkaukëve. Ju uroj me zemër që të mos dorëzoheni siç nuk dorëzohet i paoksidueshme Gjinushi!”, tha Rama.