Batuta politike dhe arritje shkencore/ Nga varri në djep, si ndryshoi Rama qasjen për Akademinë e Shkencave që festoi sot 50-vjetorin (VIDEO)

Edi Rama4

Me batuta politike e renditje të arritjeve shkencore është shënuar 50-vjetori i Akademisë së Shkencave në sallën e parlamentit. Për kryeministrin, Akademia që dikur ishte varr tani mbjell fidanët e së ardhmes ndërsa lidershipin ia ka lënë ish aleatit politik për të cilin kujtoi se i përkiste të shkuarës

50 vjetori i themelimit të Akademisë së Shkencave është shënuar në sallën e parlamentit. Përkujtimi në sallën e debateve politike, sa nderim është edhe ngufatje, pasi nga foltorja u përmenden sukseset më shumë se sfidat dhe munguan pyetjet, qoftë edhe mendimi ndryshe. Arsyeja zyrtare mbetet ritakimi nga e njëjta sallë, ku u bë mbledhja e parë. Kreu i Akademisë nderoi emra akademikësh e drejtuesish pararendës, duke pranuar arritjet e tyre, por edhe ideologjinë që i përndoqi veprat e tyre në gjenezë nga shteti komunist, ideologji që i vesh edhe sot me ngjyrimet e veta.

“Ideologjizimi i njëanshëm i tejskajshëm gjatë periudhës së sistemit komunist dhe reformat sporadike të ndërmarra në emër të ç’ideologjizimit gjatë tranzicionit, synonin ndryshime në formë jo në përmbajtje”, tha mes të tjerash Gjinushi.

Vijimësia e elitave të para e pas ‘90-s ka shënjuar tranzicionin për disa arsye. Megjithëkëtë, kryeministri i vendit e sheh ende të ardhmen të përkundet nga e shkuara, jo pa krenari, sepse shpesh dështimet e demokracisë, na kanë bërë nostalgjikë për diktaturën. Varri që përmendte shefi i qeverisë në krye të herës kur kërkoi reformë, ka marrë tashmë trajtat e një djepi.

“Kur vizitoja akademinë pas ’90-ës e dëgjoja kërkëllitjet e parketit të vjetër, më dukej se Eqrem Çabej po rrotullohej në varr, nga gjendja e dëshpëruar e atij institucioni. Falë reformës së vitit 2019, nën lidershipin e Skënder Gjinushit, imagjinoni vetë tani- përsëri duhet dikush i asaj kohe akademike që të mund të garantojë këtë kohë, Akademia, nga një vend i pashpresë përshpirtjesh, është kthyer në një hapësirë ku mbillen fidanët e së nesërmes”, tha Edi Rama.

Ndërsa reforma premtonte që Akademia do orientonte qeverinë, shqetësimet shkojnë në kah të kundërt. Më herët aleatë politikë, Gjinushi dhe Rama kanë tashmë në duar fatet e shkencës që ndahet mes Akademisë së Shkencave dhe asaj të Studimeve Albanologjike, ku është propozuar shkrirje. Kjo e hënë, u nda mes projekteve të mëdha e batutave të mesme.

“Me mbështetje e bashkëpunim me qeverinë mbetet një prej sfidave të së ardhmes, krahas realizimit me sukses të nismave shkencore madhore, hartimi i veprave themelore, Histori e shqiptarëve, Enciklopedia dhe Fjalori i madh i shqipes”, u shpreh Gjinushi.

Ndërsa kryeministri Rama e mbylli fjalimin me këto fjalë: “Duke ju shprehur të gjithë respektin tim për sa shumë i keni rezistuar injorantëve e dallkaukëve dhe uroj me gjithë zemër që të mos dorëzoheni, siç nuk dorëzohet i paoksidueshmi, Skënder Gjinushi”.

Akademia e Shkencave u themelua më 1972 në kohë kur ashpërsia e regjimit pati njëfarë kulmi në arte. Asokohe ajo qe kurorëzim i punës së instituteve kërkimore si fillesë e një akademie që tashmë është pjesë e rrjetit europian dhe themeluese e disiplinave kryesore.

Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×