Silvio Merkaj ishte një nga objektivat e Partizanit në merkato, por në ditët e fundit klubi i kuq e ka hequr shikimin nga sulmuesi vlonjat.
“Panorama Sport” zbuloi ditë më parë se drejtuesit e kuq e pëlqenin lojtarin dhe kishin nisur kontaktet me Virtus Entelën, klubin e Serisë C, që ka në pronësi kartonin e 24-vjeçarit deri në verën e vitit 2024.
Italianët ia kishin bërë të qartë Partizanit se kërkonin të fitonin para nga shitja e Merkajt.
Kjo nuk i dorëzoi menjëherë të kuqtë, pasi ata u kthyen në tavolinë me propozimin e huazimit të lojtarit, me opsionin e blerjes në fund të sezonit të ri.
Drejtuesit e Virtus Entelës u menduan pak kohë, por pritja e të kuqve nuk ia vlejti, sepse përgjigjja ishte negative.
Ata i kanë qëndruar vendimit se Partizani duhet të paguajë menjëherë për të mbërritur te Merkaj.
Shifra që pretendonin për qendërsulmuesin ishte rreth 500 mijë euro, të cilat Partizani kurrsesi nuk do të ishte i gatshëm t’i paguante për një lojtar, duke parë buxhetin e klubit dhe nivelin e futbollit tonë.
Kështu, të kuqtë janë tërhequr zyrtarisht nga tratativat për sulmuesin nga Vlora.
Ky i fundit ishte i hapur për një kalim të mundshëm te Partizani, pasi e shihte si një mundësi të mirë për të siguruar një transferim më cilësor, se ç’mund të arrijë përmes Serisë C.
Sezoni i shkuar, kur shënoi 15 gola, ishte më i miri në karrierën e Merkajt, i cili e ka nisur si profesionist në Itali, duke luajtur kryesisht në ligat e ulëta.
Duke parë karakteristikat e tij, Merkaj do të ishte lojtari i duhur për majën e sulmit të Partizanit, por tashmë të kuqve do t’u duhet të shohin për mundësi të tjera, që tregu ofron.
Më parë për majën e sulmit “demat” kanë tentuar emra si braziliani Kapani apo Sindrit Guri.
DENIS LALA – Arena e Lajmit
LEXO EDHE:
EKSKLUZIVE/ Në “shënjestrën” e të kuqve, Partizani synon bomberin shqiptar që aktivizohet në Itali (VIDEO)
EKSKLUZIVE/ I hapur për një kalim te Partizani, avancojnë bisedimet për bomberin shqiptar që luan në Itali (VIDEO)

Loading…