Futbollistët e mëdhenj kërkojnë gjithnjë arsye, stimuj e sfida për të mbajtur sa më lart motivimin e tyre për të tejkaluar veten ditë pas dite. I tillë është rasti i kapitenit të Realit të Madridit, Karim Benzema.
Në sezonin e kaluar ai fitoi thuajse gjithçka me Madridin. Në planin personal ai u shpall golashënuesi më i mirë në La Liga dhe golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampioneve, duke lënë pas Levandovskin, rivalin e tij më të ri në kampionatin spanjoll. Objektivi i radhës i sulmuesit 34-vjeçar pas ardhjes së Levës në Spanjë te Barcelona është të lërë pas polakun në garë për golashënuesin më të mirë në La Liga. Në sezonin e kaluar, Benzema u shpall “Këpuca e artë” në Spanjë me 27 gola, por Levandovski bëri edhe më mirë se ai, teksa në Bundesligë arriti të shënonte 35 gola me Bajernin. Në Ligën e Kampioneve ishte francezi që triumfoi me 15 gola kundrejt 13 të Levës.
Sulmuesi i “Los Blancos” kërkon të shkruajë historinë në Madrid dhe ka përcaktuar si objektiv të shpallet për të dytin vit radhazi golashënuesi më i mirë në La Liga. Por ai e di fare mirë se vitin e ardhshëm do të jetë ndryshe, pasi në garë do të ketë një rival tepër të fortë si Levandovski. Sipas gazetës spanjolle “AS”, në fakt objektivi real i Benzemasë nuk është vetëm të shpallet golashënuesi më i mirë në La Liga, por ai kërkon të kalojë kufirin e 35 golave që Levandovski shënoi në sezonin e kaluar në Mynih. Nuk do të jetë e lehtë, sigurisht. Pastaj ka dhe një diferencë të madhe. Te Bajerni, skuadra ishte në shërbim të Levandovskit, në Madrid është ndryshe, është Karim që luan për ekipin.
Kjo mund të dallohet nga treguesi i pasimeve për gol (asisteve), 12 për Benzemanë dhe 4 për Levandovskin. Trajneri Ançeloti duket se e ka gjetur formulën e duhur për të vendosur në kushte pune ideale sulmuesin e tij. Jo më kot italiani vendosi t’i jepte disa ditë më shumë pushim në krahasim me pjesën tjetër të skuadrës. Por edhe Benzema nuk e ka zhgënjyer trajnerin e tij. Francezi, përtej pushimeve, ka zhvilluar seanca speciale stërvitore për të qenë sa më në formë.
LEDJO SEFERKOLL-Arena e Lajmit

Loading…
Loading…