Deklaratat e Juan Laportës se cikli i Leo Mesit te Barcelona nuk është mbyllur, duket se nuk janë rastësore. Tifozët katalanas mund të ëndërrojnë, pasi klubi e ka seriozisht sa i përket idesë për kthimin e tij në “Kamp Nou” dhe se tashmë këtë kthim nuk e kërkojnë vetëm ata, por edhe trajneri Çavi Hernandez.
E përditshmja katalanase “Sport” bën të ditur se trajneri i Barcelonës ka folur me Laportën dhe i ka kërkuar atij që të nisë punën për kthimin e Mesit në Katalonjë, jo në edicionin aktual, por në verën e ardhshme. Mesi ka kontratë me PSG-në deri në verën e vitit 2023, me të drejtën e zgjatjes për një tjetër edicion, por gjithmonë nëse të dy palët bien dakord. Ndaj në verën e ardhshme ai mund të jetë lojtar i lirë për t’u kthyer te Barcelona.
Lëvizja në fjalë e Barcelonës është edhe e aspektit sportiv, edhe e aspektit ekonomik. Çavi nga një anë mendon se Mesi ka ende shumë për të dhënë në futbollin e luajtur dhe parashikon që ai të jetë vendimtar dhe në nivele të larta edhe për shumë vite të tjera. Ndërsa në klub kanë pësuar një goditje të rëndë ekonomike që nga momenti kur u largua “Pleshti” e duan që të kthejnë përsëri një imazh që do të ndihmonte katalanasit në mes të krizës financiare që po kalojnë.
Por edhe PSG nuk po qëndron duarkryq. Klubi parisien që tani i ka ofruar Mesit mundësinë që të rinovojë kontratën e tij. Ata duan që ai të vazhdojë të jetë pjesë e PSG përtej vitit 2023 me një kontratë shumëvjeçare dhe janë të gatshëm në çdo moment që të ulen në tavolinën e bisedimeve. Ndaj parashikohet një luftë e hapur mes Barcelonës dhe PSG-së, ku nga një anë do të jetë zemra dhe nga tjetra paratë që ofrojnë sheikët e Katarit që kanë në pronësi klubin e Ligës 1.
Arena e Lajmit

Loading…