“Disa lojtarë na kanë refuzuar, Kukësi do të jetë pretendent”, Gega: Nuk jemi plotësuar ende, doja të kishim…

Skënder Gega e ka rikthimin e dytë te Kukësi, me objektivat që nuk ndryshojnë asnjëherë në këtë skuadër, pasi synon maksimumin. Në një prononcim të dhënë për “Top Channel”, tekniku i verilindorëve e nis me eksperiencën e kaluar te Skënderbeu, të cilën e konsideron pozitive, pavarësisht se në fund korçarët nuk mbijetuan dot. Sa i përket Kukësit, ai e konsideron një ekip elitar dhe me pretendime.

SKENDER GEGA

“E kam shijuar edhe sfidën te Skënderbeu. Çdo trajner, pavarësisht se ku shkon dhe çfarë klasifikimi ka skuadra ose çfarë problematike ka, duhet të japë maksimumin.

Ka qenë një eksperiencë e mirë, edhe pse fundin e kishte të hidhur për nga historia. Kurse Kukësi është një sfidë e re, një sfidë që dihet që në start se çfarë pretendimesh ka. Ka një klub që vitet e fundit është bërë elitar. Nuk ka sekrete, ne jemi pretendentë në sezonin e ri”, deklaroi fillimisht Gega.

MERKATO

Tekniku ndalet në vijim te merkatoja e zhvilluar, e cila këtë sezon ka pasur shumë ndryshime, teksa pranon se e mira do të ishte të kishte një grup që ka kohë që luan bashkë.

Gega pohon se nuk kanë munguar as refuzimet, ndërkohë që e konsideron merkaton të hapur deri në fund.

“Nuk mund të them se kjo është diçka që e ndihmon, por njerëzit janë të lidhur në bazë të kontratave dhe në bazë të marrëveshjeve. Shpeshherë largohen sepse nuk gjejnë gjuhën e përbashkët.

Megjithatë, do të ishte mirë që të kishim një grup që ka kohë që luan bashkë, por kjo është sfida, për mua dhe për ata që u është dhënë mundësia. Në pjesën më të madhe skuadra u është përgjigjur kërkesave të tyre, por kemi pasur edhe refuzime, jo për shkakun tonë, por për kërkesat e tyre. Kështu që, po bëjmë më të mirën me ato që kemi pasur mundësi dhe me ato që kemi parë.

Nuk jemi plotësuar ende, kemi kërkesa për të marrë lojtarë, por po mundohemi t’i shohim me kujdes për të mos investuar te lojtarë që do të rrinë në stol”, u shpreh Gega.

SYNIMI

Gega nuk kërkon të nxitohet për t’i vënë kubit dhe vetes objektiva, por synon që të merren gjërat me radhë. Për momentin ai mendon që të nisin me këmbën e mbarë kampionatin, ku shorti u ka rezervuar një sfidë me kampionët e Tiranës.

“Unë them t’i marrim një nga një ndeshjet. E para është me Tiranën, skuadrën kampione, një ekip që ka bërë mirë shumë.

Përderisa është kampion, nuk i ka marrë askujt dhe nuk i ka vjedhur dikujt gjë, kanë pasur këto periudhat e Kupave të Europës me uljet e ngritjet e tyre, por unë mendoj se janë ekip me vlera.

Ne do të mundohemi që në ndeshjen e parë të jemi solidë, të jemi 100%. Ky është hapi i parë dhe ajo që mendoj, nuk mendoj për më larg”, mbylli prononcimin e tij tekniku i Kukësit.

VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit


Loading…

“Disa lojtarë na kanë refuzuar, Kukësi do të jetë pretendent”, Gega: Nuk jemi plotësuar ende, doja të kishim…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook