
Të vetëm, përballë mafies shtetërore dhe të fortëve të zonës. Kjo është historia e dy qytetarëve të Ksamilit bashkëshortëve Foti Doda dhe Sofia Doda. Pas shumë viteve punë në Greqi ata vendosin të kthehen në Shqipëri dhe të merren me turizëm, një pune që e kishin bërë edhe aty.
Çdo gjë po shkonte shumë mirë, që prej vitit 2008, kur kjo familje merrte me kontrata të rregullta, një stacion plazhi në Ksamil, duke paguar taksa vjetore e çdo detyrim tjetër ndaj shtetit.
Por sot pas disa vitesh, sipas Sofias dhe Fonit, persona me pushtet dhe para, po iu marrin me forcë vendin ku për vite kanë investuar miliona lekë. Në këtë histori çdo vit shfaqet IKMT, punonjësit e së cilës kërkojnë para për drejtoreshën, në mënyrë që të lënë të qetë pronarët të ushtrojnë aktivitetin e tyre.
Duke ndërtuar në atë hapësirë në breg të detit, familja Doda kishte marrë të drejtën për të punuar me anë të kontratave vjetore. Kjo u shfrytëzua nga punonjësit e IKMT-së, të cilët iu shkonin çdo shtator dhe çdo pranverë dhe iu kërkonin para, për të mos u shembur objektet. Pagesat që ata kërkonin varionin nga 5 mijë euro, 7.500 euro, e më lart.
Ajo ndërtesë që familja Doda kishte ndërtuar u shemb në vitin 2021, pas shumë e shumë vitesh, pasi ajo ndërtesë ishte përdorur nga punonjësit e IKMT-së, si arsye për t’u zhvatur para pronarëve. Për herë të parë nga viti 2008, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, nuk ia jep kontratën e shfrytëzimit pronarëve, që e kishin përdorur për vite të tëra, sepse kësaj toke, i doli pronari, edhe pse në dokumentet shtetërore, ajo cilësohet e bllokuar, nën juridiksionin e shtetit, dhe Bashkisë së Sarandës, ndaj nuk mund të kishte pronar. Por nuk mjafton kaq.
Personi i cili pretendonte pronësinë e truallit në Ksamil, tërhiqet pas një viti, dhe del në skenë një tjetër person që pretendonte ta merrte nën shfrytëzim stacionin e plazhit. Ai mundi që të marrë dhe një kontratë shfrytëzimi nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit për stacionin e plazhit, por sipas familjes Doda kontrata u anulua, me argumentin se Merkeljan Musaj, kishte kryer falsifikime. Më pas Agjencia Kombëtare e Bregdetit, i dha përsëri lejen familjes Doda, e cila megjithatë nuk mundi dot ta shfrytëzojë lejen më shumë se 15 ditë, pasi pala tjetër, nuk e lejonte.
Pasi Agjencia Kombëtare e Bregdetit, vendosi t’ia kalojë kontratën e shfrytëzimit Foti Dodës, Markeljan Musaj shkon në Gjykate, duke kërkuar sigurim padie, me argumentin se në këtë stacion plazhi ka kryer investime me vlera të konsiderueshme ekonomike, dhe për pasojë ato janë të pariparueshme. Gjyqtari i çështjes rrëzon kërkesën, pasi sipas tij nuk ka prova dhe fakte për të vërtetuar dëmin që Musaj pretendon.
Në 15 korrik të këtij viti u zhvillua seanca e radhës gjyqësore, ku shtetasi Markeljan Musaj paditi Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, Bashkinë Sarande dhe kërkonte sigurimin e padisë, duke argumentuar përsëri se ka investuar në këtë stacion plazhi dhe dëmi ekonomik është i pariparueshëm.
Nga ana tjetër Agjencia Kombëtare e Bregdetit pranoi se fillimisht ia ka dhënë të drejtën e kontratës shtetasit Markeljan Musaj, por pasi ka verifikuar situatën në terren, është ndeshur me një falsifikim që kishte bërë shtetasi Musaj, e për pasojë stacioni i plazhit i kaloi Foti Dodës.
Por Markeljan Musaj, vendos që të mos i shkonte seancës gjyqësore deri në fund, por të tërhiqej, duke hequr dore prej çështjes, dhe në këtë mënyrë trupa gjykuese ta pushonte”.
Kërcënimet ndaj familjes Doda, ishin të forta. Vetë Sofia, 60-vjeçare, tregon se është dhunuar nga pala tjetër, e për këtë ka kallëzuar edhe në polici, por deri më tani për dhunën që është ushtruar ndaj saj, nuk ka përgjegjës, veçse një përgjigje nga Policia e Shtetit e Sarandës, se çështja është duke u hetuar.
Kalvari i problemeve për këtë familje nuk kishte të mbaruar, pasi këtu sipas Sofie Dodës, fillon një tjetër përplasje e fortë. Nga institucionet shtetërore në muajin shtator të këtij viti i doli leja për të ndërtuar një ‘beach bar’, por problemi ishte se asnjë inxhinier apo topograf, nuk shkonte të kryente punën, madje edhe kur një topograf nga Tepelena, kishte kryer punën e tij, pas disa ditësh ai e anuloi, me arsyen se e kishte bërë gabim. Kjo sipas Sofies ndodhte për një arsye, sepse këta persona kërcënoheshin nga pala tjetër.
Sofie Doda ka një thirrje ndaj Kryeministrit Rama, se korrupsioni që ai pretendon se po e lufton, ka ngulur rrënjë thellë në institucionet shtetërore. Shpresa e vetme e 60-vjeçares janë ambasada amerikane dhe ajo greke, pasi Sofia disponon edhe një pasaportë të shtetit fqinj.
“Korrupsioni po vazhdon. Ai (Rama) flet vazhdimisht për korrupsionin. Nuk ndalon, por shtohet më shumë. Janë në dijeni edhe ambasada greke dhe ambasada amerikane dhe dua edhe mbështetjen. Nuk gjej të drejtën, nuk ma japin të drejtën”.
Përballë saj, thotë Sofia ndodhet një grup shumë i forte, që nuk merr parasysh asnjë letër të këtij shteti, duke treguar se pushteti i vërtetë në atë zonë janë ata.
Sofia na tregon edhe arsyet se pse ndërmori për herë të parë në jetën e saj të kryente një regjistrim me një zyrtar të bashkisë së Sarandës, dhe pse vendosi ta publikonte tani.
Pas rreth 15 vitesh kthim në Shqipëri Sofia dhe Foti Doda shprehen të zhgënjyer që u rikthyen në Shqipëri për të investuar, se pas po marrin vetëm dhunë fizike, e psikologjike, në moshe të thyer.
Kjo është historia e dy të moshuarve nga Ksamili, të cilët për vite të tëra, janë zhvatur nga institucionet e shtetit shqiptar, e më pas dhunuar fizikisht e psikologjikisht nga të tjerë që nuk njohin ligjet dhe letrat e këtij shteti. Ata thonë se kurrë në jetën e tyre nuk e kishin menduar se në të 60-tat do të përballeshin me atë çfarë po heqin sot, por nga ana tjetër shprehen të bindur se të drejtën e tyre, djersën e tyre nuk do e falin, por do të luftojnë e do shpresojnë deri në momentin e fundit, që një ditë drejtësia të vihet në vend.