Dinamo sistemon një nga lojtarët “problematikë”.

Stefen Çinedu është shitur te NK Solin, ekip i ligës së dytë kroate.
Afrikani e kishte ndarë mendjen që të mos kthehej më në Shqipëri dhe klubi ka gjetur këtë zgjidhje.
Një zgjidhje nga e cila nuk dalin pa gjë. Kryeqytetasit përfitojnë një shifër modeste prej 20 mijë eurosh nga kjo lëvizje.
Jo vetëm kaq, pasi kryeqytetasit kanë ruajtur edhe 20% të vlerës së kartonit të sulmuesit.
Nigeriani ishte nën kontratë me Dinamon, por nuk ishte paraqitur në skuadër gjatë dy javëve të para të përgatitjeve verore.
Ai nuk dëshironte të luante më me blutë në Kategorinë e Parë dhe tashmë është gjetur kjo zgjidhje, nga e cila përfitojnë të dyja palët.
Futbollisti 22-vjeçar është bashkuar me skuadrën e re në stërvitje, madje e ka nisur në mënyrën më të mirë këtë aventurë, duke shënuar 3 gola në miqësoren e parë.
Stefen Çinedu është aktivizuar edhe më parë në Kroaci, konkretisht te Hajduk Split 2 dhe Dugopolje.
Tani nis një aventurë e re për nigerianin, ndërsa drejtuesit e Dinamos janë të interesuar që ai të ecë sa më mirë, në mënyrë që të fitojnë sërish nga përqindja e kartonit që kanë mbajtur, në rast se lojtari shitet në të ardhmen.
Gjatë sezonit të fundit, ku për një pjesë të mirë të tij Çinedu mbajti peshën e sulmit, arriti të shënonte vetëm 3 gola dhe që të tre fazën e parë, 2 ndaj Kastriotit dhe 1 ndaj Skënderbeut.
Me shitjen e Çinedusë shkon në 10 numri i lojtarëve të larguar nga Dinamoja e Superiores, pas Ibraimit, Siljanovskit, Sofranakut, Isaevskit, Harizajt, Mihanës, Haxhiut, Demirit dhe Maliqit.
FATJON RUPI – Arena e Lajmit
and then