Nagelsman tallet me Juventusin: De Ligt te Bajerni ka bërë stërvitjen më të fortë në 4 vjet!

Trajneri i Bajernit të Mynihut, Julian Nagelsman, është kthyer në personazhin e këtyre ditëve të fundit me kritikat e tij në adresë të rivalëve.

DE LIGT 1

Motivet e kritikave të tij janë të ndryshme, teksa ai fillimisht ka sulmuar Barcelonën, ndërsa dje e ka pasur radhën Juventusi. Për Barcelonën shkak u bë Levandovski dhe merkatoja e katalanasve në tërësi.

Në rastin e Juventusit shkak është bërë mbrojtësi më i ri i kampionëve të Gjermanisë, Matajs de Ligt.

Që nga SHBA-ja ku ndodhej i grumbulluar me Bajernin, Nagelsman shkaktoi shumë zhurmë, teksa sulmonte hapur Barcelonën.

“Nuk e kuptoj, kjo është çmenduri, një klub si Barcelona që nuk ka asnjë grosh arrin të blejë cilindo lojtar që i do qejfi”, theksonte Nagelsman.

Kjo kritikë e ashpër ndaj klubit spanjoll nuk u prit aspak mirë, madje edhe brenda klubit. Shefi i klubit, Oliver Kahn, doli hapur kundër trajnerit të tij.

Kjo e detyroi Nagelsmanin të bënte prapakthehu në qëndrimin e tij ndaj Barcelonës. Por Barcelona është harruar dhe trajneri i gjigantëve bavarezë ka hapur një tjetër front lufte, këtë herë me Juventusin.

Epiqendra e debatit ka qenë Matajs de Ligt dhe gjendja fizike e tij pas ardhjes nga Torino.

Trajneri i bavarezëve ka lëshuar një sulm të paprecedent kundër Juventusit. De Ligt ka mbërritur jo në formën e tij më të mirë fizike dhe sipas Nagelsmanit faji është i klubit italian.

“Kur De Ligt erdhi në skuadër, kam folur me të. Gjatë bisedës më ka sqaruar se me ardhjen këtu te Bajerni ka zhvilluar stërvitjen më të fortë të mundshme në këto 4 sezonet e fundit.

Unë mendoj se nuk ka qenë më e forta, do të thosha normale”, ka thënë Nagelsman. Kritikat e trajnerit të Bajernit kanë bërë jehonë në Itali.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×