
Kryetari i Nismës ‘Thurje’ Endrit Shabani, i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 deklaroi se SPAK duhet të përmbushë pritshmëritë sa i takon 4 kallëzimeve që ata kanë depozituar.
Shabani tha se nesër bëhen 3 vite nga depozitimi i çështjes së parë në SPAK, ndërsa kujtoi se falë denoncimit të tyre sot në burg është një ish-ministër, (Lefter Koka) dhe një ish-deputet (Alqi Bllako) për çështjen e inceneratorëve.
“Ka rëndësi zgjedhja e kreut të ri të SPAK. Ka rëndësi për me, pasi i jep temp pune këtij institucioni. Nëse do të vazhdojmë prapë me një drejtësi të re me avaze të vjetra, populli do e humbasë besimin e te këto institucione. SPAK nuk i ka përmbushur pritshmëritë që kemi pasur. Nesër bëhen 3 vite nga depozitimi i çështjes së parë në SPAK. Në këto tre vite nuk e dimë nëse këto hetime kanë avancuar, është thirrur ish-ministri Beqaj. Shkelja e barazive në tendera, pas disa viteve nuk procedohet. Ne nuk jemi të kënaqur, por nuk e kemi humbur besimin përderisa shkuam këtë javë në SPAK për t’i kujtuar zotit Dumani këto çështje që vinë nga opinioni publik. Katër janë kallëzime të Nismës Thurrje, dhe një nga Aleanca për Teatrin. Për vjedhjet në autobus kemi prokuroritë e rrethit, për vjedhje të buxhetit të shtetit kemi SPAK.
Duhet të niset me çështjen e parë që janë kallëzimet e Nismës Thurje. Një nga kallëzimet tona ka çuar pas hekurave një ministër dhe një deputet. Ministrat nuk janë peshq të vegjël. Nuk kemi informacione për rastet e tjera, duhet të ishim mbajtur të informuar nga ana e SPAK. Kemi çuar koncesionin e Sterilizimin, kemi çuar dhe për inceneratorët, për çështjen e rrugëve, apo dhe nëse paratë e mafias së Ndragetës kanë shkuar në bashkinë e Tiranës dhe kanë financuar kryebashkiakun”, tha ai.