Skuadra e Ballkanit kishte një short shumë të lehtë sa i përket pjesëmarrjes në turin e dytë të Ligës së Konferencës, ku mbërriti pas eliminimit nga Liga e Kampioneve. Goglat i vunë përballë La Fiorita të San Marinos, një vend me një futboll jo të zhvilluar ku edhe lojtarët janë amatore dhe kanë profesione të tjera si prioritet.
Pikërisht këto prioritete kanë bërë që katër futbollistë të La Fiorita, të braktisin ekipin për ndeshjen e kthimit që kjo skuadër do të luajë të martën ndaj ekipit të Ilir Dajës në Prishtinë. Ballkani fitoi me shifrat 4-0 në transfertë sfidën e parë dhe kjo e bën shumë të qartë faktin se do të vazhdojë edhe më tej rrugëtimin pasi përmbysja duket e pamundur.
“RSV San Marino” ka bërë të ditur se Lunadei, Zaferani dhe Pelegrino, titullarë në ndeshjen e parë, si dhe Vitaioli, nuk kanë udhëtuar me ekipin “për arsye pune”, duke zgjedhur që të qëndrojnë në vendlindje e të mos marrin pjesë në këtë sfidë të dytë në Ligën e Konferencës. Një vendim që e bën edhe më të thjeshtë punë e skuadrës kosovare që duhet të mendojë ndoshta që tani për pjesëmarrjen në turin e tretë.
Arena e Lajmit

Loading…