Besueshmëria dhe gafat e pilotëve hedhin në erë sezonin premtues, zerot nisin të peshojnë te Ferrari

Sezoni i sivjetshëm i Ferrarit ka qenë i karakterizuar nga probleme besueshmërie, që në disa raste kanë frenuar rendimentin e secilit prej dy pilotëve të tyre. Por kur më pas këtyre defekteve u shtohen edhe gabimet personale të Sharl Lëklerkut dhe Karlos Sainzit, si ai që i ndodhi monegaskut në Francë në fundjavë, teksa kryesonte i qetë garën, atëherë edhe diferenca prej 63 pikësh nga kryesuesi Maks Vershtapen mund të duket disi e vogël me realitetin.

leklerk sainz

Në vitin që u duk se më në fund “Kokëkuqja” mund të synonte bindshëm fitoren e një Botërori që tashmë mungon që prej vitit të largët 2007, me Kimi Raikonenin, starti vërtet ishte i mirë, por vazhdimësia është për të vënë duart në kokë.

Kjo, pasi pas 12 garash të mbyllura, vetëm në 6 raste të dy pilotët e skuderisë italiane e kanë kaluar së bashku vijën e finishit, ndërsa në 6 të tjera ose e kanë mbyllur me një, ose me asnjë prej të dyjave makinave.

Shkurt, në gjysmën e garave të deritanishme, njëra prej makinave të kuqe ka marrë zero pikë, ndërkohë që Red Bullit diçka e tillë i ka ndodhur vetëm në katër raste.

Ky është një fakt që duhet t’i bëjë drejtuesit të reflektojnë bindshëm mbi besueshmërinë e makinës pikësëpari, por edhe në dhënien e urdhrave ndonjëherë ndaj pilotëve të tyre që të menaxhojnë me më shumë kujdes situatat e garës.

leklerk-vershtapen

Fundja, si në rastin e fundit me Lëklerkun në Francë, ishte më mirë që ai ta merrte me më pak vrull atë fillim gare (doli jashtë saj ende pa plotësuar 18 xhiro) dhe të shmangte një përplasje që duket amatoreske, për dikë që paguhet 25 milionë euro në sezon, për të mbajtur në drejtimin e duhur timonin.

FERRARI, KËSHTU JO – Skuderia Red Bull, në fakt, pasi e nisi me dy makina të tërhequra në Bahrejn, në garën debutuese, ka sistemuar problemet e saj të besueshmërisë me kampionin e botës në fuqi, të cilit iu desh që të tërhiqej edhe në garën e dytë të Botërorit, në Australi.

binotto-leclerc-gp-silverstone-1200x675

Gjithsesi, pas panikut fillestar, me qetësi dhe me kokën ulur, skuadra austriake nisi një seri fitoresh dhe rezultatesh të menaxhuara, të cilat jo vetëm e çuan që të kryesojë renditjen e konstruktorëve, por tashmë sheh Maks Vershtapenin që të ketë një diferencë prej 63 pikësh nga Sharl Lëklerk.

Ndërkohë, Ferrari e nisi në mënyrën e kundërt, duke shkëlqyer në dy garat e para dhe më pas erdhi gjithmonë e në rënie. Madje, alarmi duhet të kishte rënë që kur në Melburn Sainz e mbylli me zero pikë në renditje, e shoqëruar edhe nga një tërheqja tjetër në Imola, ashtu sikurse nga ajo e Lëklerkut në Barcelonë.

Ndërkohë, në Baku, që të dyja “Kokëkuqet” detyrohen që të tërhiqen, ndërsa problemet vazhdojnë e bëhen edhe më të mëdha, aq sa Sainz shpëton për mrekulli në Austri, teksa del me vështirësi nga njëvendëshja e tij që kishte marrë flakë dhe për ta mbyllur me gafën në Francë të Sharlit.

ferrari

Nëse këto i grumbullon dhe në anën tjetër sheh se i vetmi që ka përfituar nga këto gabime të Ferrarit është Vershtapen dhe Red Bull, përjashtuar fitoren e Perezit në Montekarlo, Ferrari duhet të nisë t’i bëjë mirë llogaritë, për të pasur besueshmërinë e makinës edhe atë të pilotëve të saj e të shpresojë që fati i keq të nisë të përndjekë për ndonjë garë edhe Red Bullin, nëse kërkojnë të kenë ende ndonjë shans për Botërorin.

renditja e piloteve

konstruktoret

Përgatiti: JETON STAMOLLA – Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×