Ledio Pano është një emër i përmendur shumë në ambientin e Partizanit gjatë javëve të fundit për shkak të shkarkimit prej drejtuesve nga pozicioni i trajnerit të ekipit U-17. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-mesfushori tregon për largimin nga klubi, duke mos kursyer kritikat, si dhe analizon ndeshjet ndaj Saburtalos dhe merkaton e kuqe deri më tani, për të cilën ka gjithashtu rezerva.

A e prisnit shkarkimin tuaj nga Partizani U-17 dhe çfarë mendoni se ndikoi që klubi mori këtë vendim?
Mendoj se ishte një gabim nga ana e tyre, megjithatë klubi është privat, vendimet merren privatisht, kështu e kanë menduar dhe kanë vendosur. Sigurisht që nuk më vjen mirë, por duhet ta pranojmë. Të paktën unë e pranoj, megjithëse kam hatërmbetjet e mia. Ndoshta nuk ishte momenti i duhur.
Nuk e prisja aspak. Para një viti, kur nuk ishim në një pozicion të mirë në renditje dhe ndodhën shumë gjëra, edhe mund ta prisja. Nuk dua të besoj fjalët që dëgjoj se si po luhet atje dhe kush ka vendosur, por që jam i bindur se fjalët që kanë shkuar te presidenti Demi, nuk janë fjalët që ai duhet t’i besonte.
Megjithatë, ka edhe njerëz që nuk na duan dhe na luftojmë. Presidenti u ka besuar, sepse duhet t’i qëndrosh mbrapa siç i qëndrojnë të tjerët. Unë nuk e kam bërë këtë. Unë kam parë punën time, s’jam marrë me llafe, të tjerët që e bëjnë këtë mund të vazhdojnë aty dhe të japin kontributin e tyre. Nuk i prisja këto goditje pas shpine. Unë e ndieja që isha në shtëpinë time dhe jepja maksimumin tim.
Do të ktheheshit te Partizani?
Me ata që janë aty tani, jo.
Si ju duk Partizani në dy ndeshjet ndaj Saburtalos?
Nuk e prisja eliminimin. Ndeshja e dytë ishte një zhgënjim. Prisja kualifikimin pas rezultatit të ndeshjes së parë. Në Gjeorgji ekipi luajti mirë, ishte më i mobilizuar dhe i lirshëm.
Në ndeshjen e dytë nuk më pëlqeu mënyra se si luajti që në fillim. Kishte shumë mangësi. Ndoshta trysnia që u është ngarkuar lojtarëve gjatë javës i ka vënë ata në një pozitë të vështirë. Pashë lojtarë që nuk dhanë maksimumin, jo se nuk deshën, por për shkak se mënyra se si Partizani luajti, ishte e gabuar.
Përse vuan kaq shumë Partizani te penalltitë? Kujtojmë që edhe ndaj Vllaznisë në Kupë pësuan një humbje të tillë.
Kur eliminohesh, dalin në pah edhe shumë të meta që mund të kenë lojtarët. Gabimi nisi me goditjen e penalltisë së parë, që iu dha një lojtari të sapoardhur (Atanaskoski). Ishte hera e parë që luante për Partizanin. Ndoshta duhej të kishin vendosur një lojtar më të pjekur, që të ishte më i ftohtë dhe i saktë.
Megjithatë, të gjuash penallti kërkon përgjegjësi dhe varet se sa lojtari beson në këmbët e veta në atë moment. Kanë humbur edhe lojtarë të mëdhenj penallti, hyn shumë edhe fati në lojë, sepse nuk mund të thuash që Rrapaj e gjuajti keq të vetën, por ishte çështje fati që topi u përplas në shtyllë. Por eliminimi na la shije të keqe.
Janë bërë 7 afrime, por ka pasur edhe largime. Çfarë note i vini merkatos së Partizanit deri më tani?
Është e përvitshme kjo që ikin 10 lojtarë, vijnë 12. Sigurisht që nuk është gjë e mirë, e kam thënë shumë herë. Nuk mund t’i vendosësh notë shumë pozitive, sepse përveç Matondos, i cili erdhi në janar dhe i ka dhënë një hov 11-shes, të tjerët lënë për të dëshiruar.
Gjithashtu, lojtarët e rinj që kanë ardhur tani nuk mund t’i shohësh me një ndeshje. Megjithatë, unë të paktën prisja lojtarë më cilësorë. Gjithsesi, ata që merren me ekipin i dinë më mirë hallet. Unë tani jam jashtë, çfarë dëgjoj dhe lexoj nga mediat.
Kishte disa lojtarë në gjendje jo të mirë fizike, Herald Marku u largua disa ditë para ndeshjeve dhe Matondo nuk bëri fazë përgatitore në Slloveni. Mos e gjeti të papërgatitur Europa Partizanin?
Këtë e dinë ata që janë aty. Duhet të ishin përgatitur shumë më mirë, sepse kohën në dispozicion e kishin. Por ndoshta ka qenë e vështirë për të gjetur lojtarë më cilësorë. Gabimet me Markun dhe lojtarët e tjerë që ikën apo erdhën janë të përvitshme. Për ikjen e Herald Markut ishte Telushi, që mund të aktivizohej më shpejt, sepse është një lojtar, i cili e dimë se kush është dhe e pamë se si loja mori pamje tjetër kur ai u aktivizua.
Ka cilësitë e duhura për ta qarkulluar topin dhe për ta shpërndarë atë. Telushi duhet të kishte më shumë minuta duke parë lojën që ekipi zhvilloi në pjesën e parë. Gjithsesi, besoj ata e dinë më mirë gjendjen fizike të tij. Afrikanët duhet të ishin marrë në fazën përgatitore. Ishte çështje dokumentesh, por për këtë është klubi, që të merren më parë me këto punë dhe të mos gjenden të papërgatitur.
Çfarë lloj lojtarësh i mungojnë Partizanit?
Dyshja e qendrës së mbrojtjes janë lojtarë të mirë, por kanë mangësitë e tyre në organizim, diçka që skuadra e ka vuajtur. Kanë marrë edhe një lojtar tjetër (Menish), të cilin mbetet ta shohim kur të nisë kampionati. Duhet pak më tepër cilësi në mesfushë, sepse janë kryesisht lojtarë të rinj. Përveç Matondos, që ka një siguri këmbët e veta, Rrapaj apo Murataj janë lojtarë të rinj, të cilët vrapojnë shumë, por nuk e kanë përgjegjësinë apo potencën, që kërkon Partizani në mesfushë.
Partizani ka vite që vuan për një 10-sh, organizator të mirëfilltë, që të vërë lojtarët në funksion, të godasë portën dhe të lirojë hapësira për sulmuesit. Ardhja e Hotit nuk dha asnjë ndikim në lidhje me këtë. Mendoj se Hoti nuk është organizator i mirëfilltë. Skuka i vetëm në sulm nuk ka çfarë bën nëse mesfushorët nuk e ushqejnë me topa. Cara është lojtar i ri, është ekip në zhvillim.
Përse Partizani nuk i beson shumë lojtarë të ekipeve të të rinjve?
Pas marrjes së klubit, me ndërtimin e pallateve në ish-ambientet e Partizanit, ka pasur shumë minuse në drejtim të organizimit të akademisë, sepse në Shqipëri ka shumë pak fusha dhe akademia kërkon terrenet e veta. Akademia e Partizanit ka qenë gjithnjë në lëvizje sa andej-këtej për të gjetur orare dhe fusha, prandaj ka pasur mangësi nga kjo anë. Megjithatë, jemi munduar të punojmë që të nxjerrim lojtarë deri te të rinjtë (U-21). Pastaj është pjesa e organizimit jo të mirë që bën klubi, duke marrë shumë lojtarë të huaj dhe mos u mbështetur te të rinjtë.
Para rreth 20 vitesh shumë lojtarë nga akademia, si Elis Bakaj, Gjergji Muzaka, Erando Karabeci e shumë të tjerë u larguan dhe firmosën me klube të ndryshme nga Superiorja prej shkakut të mësipërm.
Vitet e fundit kanë qenë të vështira për akademinë dhe dalja e futbollistëve ka qenë mjaft e vështirë, megjithatë unë besoj se në ekipin e vjetshëm të të rinjve ka pasur elementë cilësorë, të cilët duhej të ishin afruar në ekipin e parë. Nuk e di, është çështje organizimi e klubit. Janë afruar dy-tre lojtarë në ekipin e parë dhe besoj se janë cilësorë. Them se dalëngadalë kjo filozofi e gabuar do të ndryshojë për mirë. Me ndërtimin e kompleksit gjërat besoj se do të përmirësohen.
A mund ta sulmojë Partizani titullin kampion me këtë grup lojtarësh?
Kur nis kampionati, kemi 10 ekipe pretendente. Partizani e synon çdo vit, megjithëse nuk mund të thuash me siguri që e fiton. Do të kisha shumë dëshirë që Partizani të luftojë për titullin. Është një skuadër që e ka potencialin, por duhet pak më shumë cilësi për ta çuar këtë ekip drejt titullit kampion.
DENIS LALA – Arena e Lajmit
LEXO EDHE:
EKSKLUZIVE/ E shkarkojnë me një telefonatë, Ledio Pano nuk është më te Partizani
U shkarkua me një telefonatë nga Partizani, “Ultras Guerrils” del në mbrojtje të Ledio Panos: Historia nuk zhbëhet! Duhet guxim i madh që…
and then