Sulmuesi i Realit të Madridit, Vincius Zhunior, është kthyer të flasë për mediat ndërkombëtare në prag të nisjes së sezonit të ri. Braziliani ishte heroi i Realit në suksesin 1-0 në finalen e Ligës së Kampioneve kundër Liverpulit në Paris.

Gjatë intervistës së dhënë për “UEFA.com”, Vinicius ka komentuar pikërisht atë finale, por edhe tema të tjera, si marrëdhëniet me Karim Benzemanë si dhe sezonin e ri që është tek porta.
SUPERKUPA E EUROPËS – “Është thelbësore të fitosh çdo ndeshje. veçanërisht kur bëhet fjalë për finale që të japin trofe. Kundër Frankfurtit do të shkojmë për të fituar Superkupën. Në ADN-në e këtij klubi është rrënjosur suksesi”.
NDESHJA KUNDËR SITIT – “Disa ndeshje të veçanta kthehen në një mal emocionesh dhe ne ishim në gjendje të kontrollonim emocionet tona, deri në fund kur shpërtheu Rodrigo. Në dy minuta ai u fut në fushë dhe shënoi dy gola që na çuan në finalen e madhe. Unë mendoj se ajo ndeshje kundër Mançester Sitit ishte më e rëndësishmja në të gjithë rrugëtimin tonë në Ligën e Kampioneve”.
FINALJA NDAJ LIVERPULIT – “Pas një sezoni të mrekullueshëm, ishte gjëja më e bukur që ta kurorëzonim me një fitore në finalen e Ligës së Kampioneve. Kam 15 vjet që luaj futboll dhe asnjëherë nuk e ke të sigurt se sa herë do të shkosh të luash një finale të tillë. Ndaj çdo finale duhet shfrytëzuar maksimalisht”.
GOLI NË PARIS – “Është një emocion i papërsëritshëm. Vetëm ata që kanë shënuar në finale të këtij lloji e kuptojnë se çfarë do të thotë. Është një ndjesi e papërshkrueshme, nuk e di se si mund ta shpjegoj, nuk ka një formë të saktë”.
FESTIMET PËR TË 14-ën – “Është një moment i veçantë me fanellën më prestigjioze në botë, në kompeticionin më të rëndësishëm. ‘Bernabeu’ është unik në botë, për këtë e kemi festuar gjatë trofeun e fituar në Francë”.
RAPORTI ME BENZEMANË – “Për çdo sulmues është kënaqësi më vete të jetë vendimtar në ndeshjet e ekipit të tij. Benzema është si një mësues për mua, veç të tjer ave. Gjithnjë më thotë të jem këmbëngulës, i guximshëm. Ai gjithnjë më jep këshilla dhe më thotë: ‘Gjuaj drejt portës për të shënuar ose paso për të dhënë asist. Nëse nuk bën asnjë nga këto të dyja hiqe topin nga këmbët’. Bashkëpunimi ynë në fushë, sinergjia jonë ka qenë shumë e mirë dhe së bashku kemi fituar shumë takime”.
VETERANËT E TË RINJTË – “Mendoj se ndërthurja e lojtarëve me eksperiencë me ata të rinj ishte çelësi për të fituar ndeshje e trofe në sezonin e kaluar. Kështu do të vijojmë edhe në sezonin e ri”.
AFTËSITË – “Gjëja që di të bëj më mirë është driblimi, gjithnjë përpiqem ta ushtroj. Edhe kur nuk ia dal, gjithnjë mendoj ta përsëris. Kur arrij të dribloj, ka një rival më pak për mua dhe një më pak për të gjithë”.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – Arena e Lajmit
and then