Laçi është vetëm një ndeshje larg kualifikimit për në turin e tretë të Ligës së Konferencës, duke tentuar të përsërisë edicionin e kaluar, kur të udhëhequr nga Shpëtim Duro u eliminuan vetëm nga Anderlehti.
Barazimi 0-0 në ndeshjen e parë në Moldavi ndaj Petrokub Hinçestit u konsiderua si heroik, për vetë faktin se kurbinasit luajtën me një lojtar më pak për më shumë se një orë lojë.
Nesër në “Elbasan Arena” është një tjetër histori, por te kurbinasit nuk ka asnjë shenjë euforie, pasi vlerësimi për moldavët është i lartë dhe për anën psikologjike ka punuar shumë në ditët e fundit trajneri Duro.
Asgjë nuk ka përfunduar, pasi duhet vetëm fitorja për të shmangur shtesat, prandaj dhe në klub janë mobilizuar që gjithçka të shkojë në më të mirën e mundshme.
“Panorama Sport” ka zbuluar së fundmi se drejtuesit i kanë bërë një premtim skuadrës në rast kualifikimi. Mësohet se në dispozicion të lojtarëve dhe stafit është një premio prej 40 mijë eurosh.
Kësisoj, tashmë u mbetet futbollistëve për të arritur suksesin në fushë dhe më pas të përfitojnë shpërblimin nga presidenca.
PËRFITIMI – Suksesi ndaj moldavëve është shumë i rëndësishëm për arkat e klubit të Laçit.
Pra, duke llogaritur këtu bonuset që jep UEFA, në rast kalimi në turin e tretë, edhe sikur në këtë raund më pas Laçi të eliminohej, klubi i drejtuar nga Pashk Laska do të ketë 850 mijë euro të sigurta që qeveria e futbollit europian jep për kualifikimet në Ligën e Konferencës.
Këtë shifër kurbinasit e përfituan në edicionin e kaluar, kur kaluan dy ture dhe u eliminuan në të tretin nga Anderlehti.
Këtë herë shorti është treguar bujar me bardhezinjtë, pasi në turin e tretë do të luajnë me fituesin e çiftit FehervarGabala, dy klube që nuk i afrohen nivelit që kanë belgët.
Arena e Lajmit
