Franc Veliu drejt rikthimit. Orët e fundit po përflitet gjithnjë e më shumë emri i ish-kapitenit. Ai është zyrtarisht i lirë dhe rrjedhimisht nuk ka pengesa për një transferim te Flamurtari. Negociatat kanë nisur dhe këtë, në fakt, e ka pohuar kohë me parë vetë mbrojtësi.
Për “Panorama Sport” deklaronte se ishte takuar me administratorin, duke nënkuptuar se edhe marrëdhëniet mes tyre janë sheshuar pas historisë së famshme të borxhit të prapambetur. “Kemi marrëdhënie shumë të mira me administratorin Idrizi. Jemi takuar. Sa i përket së ardhmes, e lëmë që të rrjedhë vetë.
Jam i gatshëm të ndihmoj Flamurtarin për t’u ngjitur ku e ka vendin”, deklaronte vlonjati. Çështja tashmë qëndron diku tjetër, që lojtari duhet të zgjedhë mes Flamurtarit dhe dy skuadrave të Superiores.
PRAPASKENA
Egnatia, Laçi dhe Prishtina i prishin punë Flamurtarit. “Panorama Sport” zbardh prapaskenat e mostransferimit në Vlorë të tre lojtarëve. E ndërsa përflitej se do të bëhej pjesë e Flamurtarit, Malota ka marrë një tjetër drejtim. Gazeta mëson se lojtari që aktualisht është te Laçi, ka nënshkruar një parakontratë me ekipin e Egnatias.
Malota ka zgjedhur të shkojë në Rrogozhinë sezonin e ri. E njëjta gjë po ndodh edhe me Mentor Mazrekajn. Laçi duket se është bërë bllokadë dhe nuk e lejon. Mbyllet përfundimisht ëndrra edhe për Kreshnik Ukën.
“Panorama Sport” mëson së kosovari ka firmosur kontratën e re edhe për një tjetër sezon me Prishtinën.
Kështu, konfirmohet lajmi i gazetës se klubi kryeqytetas është bërë pengesë për Ukën.
PLANET
Pasi u “dogjën” nga emrat që u lakuan, të cilët dolën në publik dhe firmosën me ekipe të tjera, te Flamurtari po ndryshojnë strategji. Kanë vendosur “silenciatorin” dhe po tregohen të kujdesshëm se mos u rrjedh ndonjë emër. Pak vetë i dinë emrat që duan të afrojnë dhe kanë vendosur që lojtarët t’i prezantojnë edhe në mesnatë, siç ka ndodhur në rastin e tre afrikanëve.
I fundit që ka mbërritur në Vlorë është mesfushori i Turbinës, braziliani Yuri Karvahlo. Mësohet se do të mbërrijë ndërkohë të paktën edhe një brazilian. Por po shikohet edhe nga tregu vendës.
– Arena e Lajmit
