EKSKLUZIVE/ “Tirana ia del nëse luan si Partizani në Gjeorgji”, Egbo: Zrinjski nën presion, por duhet edhe guxim (E PLOTË)

Fitoren e fundit në transfertë në një ndeshje europiane Tirana e ka marrë kundër Dinamos së Tbilisit. Ishte 19 gusht i dy viteve më parë dhe bardheblutë triumfuan 0-2 me gola të Torasës dhe të Ismajlgecit. Për shkak të situatës prej pandemisë ishin ndeshje vetëm me një takim dhe Tirana u kualifikua në turin tjetër të Champions-it. 

Egbo

 

Trajner asokohe ishte një tjetër ishportier, Emanuel Egbo, i cili në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, thotë se Tirana nuk ka asgjë për të humbur dhe duhet të luajë me presionin dhe frikën e Zrinjskit. “Ndonjëherë është ‘më mirë’ kështu.

Në kuptimin që kur nuk ke asgjë për të humbur, atëherë jep më të mirën… Tirana nuk ka luajtur keq në Europë, me përjashtim ndoshta të ndeshjes së parë me Dudelanzhin, të cilën mendoj se e nënvlerësuan”, thotë ishtrajneri kampion i bardhebluve.

Egbo, me çfarë po merreni tani?

Unë kam kontratë me një klub në Arabi. Kam pasur disa ditë pushim dhe u ktheva në Shqipëri sepse kam akademinë time të futbollit këtu dhe herë pas herë vij të kontrolloj si shkojnë punët.

A i keni ndjekur ndeshjet e skuadrave shqiptare në Europë?

Po, të gjitha.

Ç’përshtypje ju kanë lënë?

Për mendimin tim, kanë luajtur mirë. Të gjitha.

Vërtet? Po pse u eliminuan Partizani dhe Tirana që në turin e parë në kompeticionet respektive?

Kanë specifika të ndryshme. Tirana mendoj se e nënvlerësoi disi ndeshjen e parë me Dudelanzhin. Mund të kishin bërë më shumë atje dhe të paktën të kishin dalë të pamposhtur. Në “Air Albania” luajtën nën presion. Nuk luajtën keq, por pashë shumë tension. Plus që edhe disa raste të mira nuk i shfrytëzuan dot.

A ka një problem Tirana me golin? Shënon shumë pak…

Tirana ka lojtarë shumë të mirë, por ndonjëherë nuk u ecën. Duhet të jesh i qetë para portës dhe duhet vetëbesim në ndeshje delikate. Nuk mendoj se është faji i trajnerit, por i cilësive individuale të futbollistëve. Trajneri ka për detyrë të gjejë mënyrën që lojtarët gjatë aksioneve të dalin në pozicione të volitshme për të shënuar. Nëse pastaj një lojtar nuk e çon dot topin në rrjetë, ky nuk është problem i trajnerit. Golat nuk i bën trajneri…

A mund t’ia dalë Tirana nesër kundër Zrinjskit?

Po, pa dyshim që po. Unë kam shumë besim.

Pse keni kaq shumë besim?

Sepse Tirana mund të bëjë atë që bëri Partizani në ndeshjen e parë: fitoi atje duke luajtur lirshëm dhe me shumë guxim. Edhe Tirana nuk ka asgjë për të humbur.

Ku doni të dilni?

Presioni është mbi Zrinjskin. Ata e dinë forcën e Tiranës, pavarësisht se kanë një rezultat të mirë në xhep pas ndeshjes së parë. Por një gol është… Ata janë në stres dhe jo Tirana, prandaj ekipi i Shehit mund të luajë me nervat e tyre. Kështu e mendoj unë.

Si mund ta bëjnë këtë?

Duke qenë të qetë. Duhet qetësi dhe thjeshtësi në fushë. Rastet do të krijohen. Tirana është një skuadër që krijon raste dhe kjo është e pamohueshme.

A i duhet ndonjë blerje Tiranës?

Nuk mund të flas për këtë. Unë jam jashtë klubit tani dhe nuk dua të jap mend për merkaton e tyre. Ata e dinë vetë si i kanë punët.

Po për Partizanin ç’mendim keni?

Më pëlqyen në ndeshjen e parë, sepse jo vetëm që luajtën mirë, por edhe fituan. Në ndeshjen e dytë nuk e kuptova pse u futën aq shumë nën presion. Por ndodh në futboll, nuk është fundi i botës.

Vllaznia sa shanse ka që të kualifikohet?

Vllaznia nuk do ta ketë të lehtë, por edhe ata mund të luajnë me presionin e kundërshtarit. Rumunët kishin cilësi, por Vllaznia duhet të jetë e bindur se do t’i ketë shanset e veta. Këtë duhet të mendojnë të gjitha ekipet shqiptare dhe lojtarët kur zbresin në fund: shanset e tyre do t’i kenë gjithnjë. Mjafton që të kenë vetëbesim. Ndonjëherë më duket sikur u mungon kjo gjë dhe i mbivlerësojnë kundërshtarët.

Po Laçi?

Laçi më ka pëlqyer, por nuk më ka surprizuar. Prej vitesh është një skuadër me cilësi dhe me shumë karakter. Kanë shanse të mira edhe ata. Unë shpresoj shumë që të paktën dy ekipe shqiptare të vazhdojnë rrugëtimin në Europë. I bën mirë futbollit shqiptar. Është shumë herët që ta ndalin këtu udhëtimin. Aq më tepër që janë plotësisht në lojë me rezultatet që kanë marrë pas ndeshjeve të para. Nuk ka vend për pesimizëm, mjafton të besosh.

Dy trajnerët e fundit që i kanë dhënë Tiranës titullin kanë qenë portierë… Është rastësi apo ka ndonjë sekret?

E kam shpjeguar edhe herë të tjera. Në Shqipëri ndoshta e nënvlerësojnë një portier, por po ju kujtoj se portierët janë ata që gjithë karrierën e tyre vetëm studiojnë lojën. Kanë më shumë kohë për ta bërë këtë. Ne jemi praktikisht trajnerë në fushë, sepse duhet vetëm të lexojmë situatat dhe të bëjmë llogari se ku do të përfundojë aksioni. Ja, ky është “sekreti”.

JETMIR HALILAJ – Arena e Lajmit

 


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×