Atletiko Madrid ka zhvilluar sot një ndeshje miqësore përballë Numancias, si pjesë e përgatitjeve për edicionin e ri. Një sfidë të cilën Atletiko e ka fituar me lehtësi me shifrat 4-0, e ku ajo që ra në sy në fakt ishte një episod në fundin e ndeshjes, kur për disa minuta, Simeone aktivizoi një portier si sulmues.
Golat e Lemar, Korrea, Kondogbia dhe Kunja bënë shumë të thjeshtë sfidën për Atletikon që arriti shifrat 4-0 që në minutën e 52-të të sfidës. Ndërkohë, Simeone u dha mundësinë të gjithë lojtarëve të zbritnin në fushë dhe të jepnin kontributin e tyre.
Por në minutën e 75-të, Hermoso pësoi një dëmtim në kavilje dhe Simeone vendosi të mos e lejonte që të kthehej në fushë. Por ai nuk pranoi gjithashtu që skuadra e tij të luante minutat e mbetura me 10 lojtarë, pavarësisht avantazhit të ndjeshëm. Kështu, nga stoli u çua i vetmi lojtar i mbetur, portieri i të rinjve, Gomis, i cili hoqi dorashkat dhe veshi fanellën e Felipe i cili mungonte në këtë duel.
Ai luajti në 15 minutat e fundit të ndeshjes si sulmues, teksa edhe iu afrua në një moment një goli që padyshim do të kishte qenë historik për djaloshin 19-vjeçar.
Arena e Lajmit
