Titulli vendoset edhe nga goditjet standarde, ja kush janë 6 specialistët e Premier Ligës

Në nivelin ku ka mbërritur futbolli, goditjet standarde po luajnë gjithnjë e më shumë një rol të rëndësishëm. Në një epokë, aksionet e vdekura konsideroheshin një armë e skuadrave të dobëta.

BERRI

Por tani që në nivelet më të larta margjinat janë kaq të ngushta, skuadrat më të mira po investojnë gjithnjë e më shumë për të firmosur me specialistë goditjesh standarde për të maksimizuar situatat e topave të vdekur.

Shkencërisht është arritur në përfundimin se efikasiteti i goditjeve standarde mund të përmirësohet deri në 30% dhe gara e klubeve të Premier Ligës do të jetë e përqendruar edhe në këtë aspekt këtë sezon. Por cilat janë figurat kryesore pas skenës që punojnë në këtë aspekt në klubet më të mëdha të Premier Ligës?

MAN. JUNAJTID (ERIK RAMSEJ) – Më herët Ramsej ka punuar te Shrusbëri Taun dhe Çelsi U-23 përpara se ta merrte Solskjaer në “Old Trafford” verën e shkuar. Roli i tij zyrtar është të punojë për përmirësimin individual të lojtarëve në goditjet standarde. Dhe në sezonin e tij të parë në Mançester, vetëm dy klube shënuan më pak sesa Junajtid me goditje standarde (7 gola) ndërsa vetëm tre pësuan më pak gola sesa “Djajtë” (6).

ARSENAL (NILOLAS XHOVER) – Është bërë shumë e zakonshme të shohësh lojtarët e Mançester Sitit që të largohen nga “Etihad” drejt “Emirates”, ndërsa Zhezus dhe Zinçenko ndërruan fanellë këtë verë. Por Xhover e bëri këtë lëvizje verën e shkuar, pasi Arteta e joshi pas dy sezoneve të suksesshme ku punuan te kampionët. Ai e tregoi menjëherë talentin e tij. Arsenali u rendit vetëm pas Sitit dhe Liverpulit për golat e shënuar nga goditjet standarde sezonin e shkuar (16), ndërsa një sezon më herët ishin skuadra e tretë që shënonte më pak (6).

SITI (KARLOS VISENS) – Pas largimit të Xhover, Visens u promovua nga Guardiola, ndërsa ishte pjesë e skuadrës U-18 të Sitit. Por pavarësisht punës së mirë të paraardhësit të tij, Visens u vlerësua për revolucionin që bëri në goditjet standarde sezonin e shkuar. “Qytetarët” shënuan 21 gola, ndërsa pësuan vetëm 1 dhe kjo është diferenca më e mirë e golave nga goditjet standarde në historinë e klubit. Por Pep dukej se do ta humbiste atë këtë verë pasi iu ofrua të bëhej trajner i skuadrës së Heraklesit në Holandë. Por ai e refuzoi këtë detyrë pasi skuadra ra në kategorinë e dytë.

TOTENHEM (XHANI VIO) – Edhe pse në festë vijnë më vonë se shumë rivale të tjera në kampionat, Totenhemi është klubi i fundit që ka afruar një specialist goditjesh dënimi. Dhe italiani që Konte ka sjellë, Xhani Vio, vjen me një kurrikulum të shkëlqyer, sepse luajti një rol vendimtar në triumfin e Italisë në Europianin e verës së shkuar.

Vetëm tri klube të Premier Ligës shënuan më pak gola nga goditjet standarde sesa “Spërsat” sezonin e shkuar, diçka që Konte do të tentojë ta përmirësojë. Ish-bankieri ka shpenzuar më shumë se 20 vite duke studiuar variante të ndryshme goditjesh dënimi dhe ka ndërtuar 4.830 situata të ndryshme.

ÇELSI (ANTONI BERRI) – Berri ka ndërtuar një reputacion të fortë në botën e trajningut. Pasi asistoi Pol Kukin tek Uigani, ai iu bashkua Çelsit në verën e 2020-ës si asistent trajner i Frenk Lampardit dhe prej atëherë ka shkëlqyer. Situatat e goditjeve standarde të Çelsit kanë qenë në përmirësim konstant prej atëherë dhe ai mori këtë detyrë edhe në kombëtaren e Irlandës. Lampard provoi ta merrte tek Evertoni në janar, por Tuhel luftoi për ta mbajtur në “Stamford Bridge”.

LIVERPUL (PETER KRAVIEC) – Liverpuli ka shumë kohë që konsiderohet një skuadër eksperte në goditjet standarde. Ata janë ndër ekipet e para që përdorën një trajner rivëniesh anësore dhe punojnë me kompaninë që parashikojnë dëmtimet. Ndryshe nga rivalët, Klop nuk ka një trajner specifik dedikuar për goditjet standarde, pavarësisht se asistenti i Klopit, Peter Kraviec, është lavdëruar nga gjermani për punën e mirë që ka bërë me goditjet standarde në të shkuarën.

Pas fitores në Champions kundër Interit në shkurt, ku një gol i bukur i Firminos me kokë ktheu ndeshjen në favor të anglezëve, Klop tha: “Po. Përgjegjës për atë gol janë Peter Kravieç dhe analistët tanë. Kur ne bëjmë analizat, shohim se si kundërshtari mbron. Dhe nuk patëm shumë kohë për t’u stërvitur, por e provuam në situatat e goditjeve standarde një ditë më parë”.

Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×