Zbardhet takimi Paloka-Bardhi për kandidatët e përbashkët, ja pika ku ndahen grupimi i Berishës dhe Alibeajt

Paloka Bardhi Ok

Edi Paloka dhe Gazmend Bardhi u takuan dy ditë më parë për më shumë se një orë në një lokal përballë parlamentit në përpjekjen e parë që dy grupimet në PD të dalin me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale.

Në përfundim të takimit ata ishin shumë të rezervuar për mediat, por të dy u kujdesën të thonë se bisedimet do të vijojnë.

Sipas Edi Palokës, i mandatuari i Berishës për këtë takim, biseda e parë me Gazmend Bardhin, të mandatuarin e grupit të Alibeajt, kurrsesi nuk mund të quhet e dështuar.

“BalkanWeb” ka mësuar detaje nga kjo bisedë dhe pikën kyçe ku dy palët ndahen e që nëse vijon të mbetet e tillë rrezikon që ta çojë PD-në me 2 kandidatë në zgjedhjet lokale. Mësohet se Edi Paloka i ka ofruar Bardhit që kandidatët e mbështetur prej grupit të Alibeajt, të bëhen pjesë e primareve që po organizon PD.

Paloka ka premtuar një proces transparent e të ndershëm në këto primare, në fund të të cilit, do të nominohet si kandidat për kryetar bashkie ai që ka marrë më shumë vota. Por Gazmend Bardhi e ka kundërshtuar këtë ide. Sipas tij, futja e të gjithë kandidatëve në primare do ta çajë PD-në më shumë sesa është sot e përçarë.

“Primaret sipas udhëzimit tuaj i organizojnë degët e seksionet. Cila degë do t’i organizojë ato, dega që keni zgjedhur ju apo dega që njohim ne?”, ka qenë pyetja e Bardhit.

Si zgjidhje ai ka propozuar përzgjedhjen e emrave potencialë për kryebashkiakë dhe hedhjen e tyre në sondazhe lokale. Kjo alternativë është pëlqyer së fundmi edhe nga Agron duka e Dashamir Shehi, dy aleatë të PD. Takimi i parë mes Bardhit e Palokës nuk prodhoi ndonjë rezultat, por vetëm një sinjal pozitiv.

Axhenda e shpërndarë mbrëmë nga selia e PD bën të ditur se evidentimi i kandidatëve brenda opozitës që do t’i nënshtrohen primareve do të zgjasë deri në 6 nëntor. Deri në këtë ditë, duket se do të vijojnë edhe përpjekjet brenda PD për të dalë me një emër në garën për zgjedhjet lokale.

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×