Ylli Shameti është ndër lojtarët që e ka mbajtur më gjatë veshur fanellën e Kukësit kur kjo skuadër u bë pjesë e elitës, teksa numëron plot 182 takime. Në gjashtë sezonet e tij te verilindorët fitoi gjithçka, duke mbajtur në krah edhe shiritin e kapitenit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai flet rreth merkatos që kanë bërë drejtuesit, për të cilët pohon se nuk ka shumë njohuri për futbollistët e afruar. Sipas tij, këto lëvizje ishin të logjikshme, sepse vinin pas dy sezonesh pa Europë.
“Të them të drejtën, thjesht kam informacion nga rrjetet sociale apo gazetat për merkaton. Një pjesë të mirë të lojtarëve nuk është se i njoh, kështu që nuk mund të them diçka konkrete. Pas dy viteve jo të suksesshme (pa Europë) edhe lëvizjet e lojtarëve mendoj se janë një logjikë e pranueshme, duke parë edhe ndryshimin e pankinës. Por, koha do të tregojë se sa efikase do të jetë”, u shpreh fillimisht Shameti.
OBJEKTIVAT – Në lidhje me objektivat e klubit Shameti kërkon të tregohet i kujdesshëm dhe të mos nxitohet, për faktin se nuk e njeh në detaje skuadrën dhe lojtarët e afruar, por ka besim tek aftësitë e Gegës. Sa i përket mungesës së emrave të bujshëm, ai e sheh si një politikë të klubit për t’u rimëkëmbur.
“Duke mos e njohur shumë ekipin, nuk mund të them deri ku mund të arrijë. Duhen parë ndeshjet e para për një vizion më të qartë. Mendoj që ndërrimi i pankinës në këtë fazë duke e formatuar ekipin që në qershor dhe duke e përgatitur në fazë për fillimin e kampionatit, është koha e mjaftueshme për t’i bërë gjërat siç duhet. Gega ka eksperiencë në këtë prizëm. Sa i përket mungesës së emrave, mendoj se është politika e klubit për t’u rimëkëmbur pas dështimit, duke u dhënë besim lojtarëve të rinj dhe duke anashkaluar një pjesë të emrave të bujshëm”, vijoi më tej prononcimin e tij për gazetën ish-kapiteni i verilindorëve.
RIVALËT – Në fund, Shameti jep edhe një mendim për skuadrat e tjera të këtij kampionati, ku mendon se skuadrat pretendente do të jenë pak a shumë ato tradicionalet. “Mendoj se ekipe si Laçi, Vllaznia, Tirana dhe Partizani do të jenë një hap përpara ekipeve të tjera. Mendoj se ato do të jenë edhe favoritet për titullin kampion, por asnjëherë nuk i dihet, pasi kampionati është i gjatë”, mbylli prononcimin e tij për gazetën ish-mbrojtësi i Kukësit, skuadër me të cilën fitoi kampionatin.
VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit
