Laçi pësoi një humbje turpëruese përballë Petrokub në “Elbasan Arena” me shifrat 1-4 për t’i thënë lamtumirë ëndrrës europiane. Në një intervistë për “Super Sport”, tekniku i kurbinasve, Shpëtim Duro, nuk e fsheh dot zhgënjimin për këtë eliminim.
Fituat pjesën e parë dhe patët raste të mbyllnit ndeshjen, por çfarë ndodhi më pas?
Nuk kam fjalë për ta përshkruar këtë humbje. Në pjesën e parë ishim në avantazh dhe pjesën e dytë e nisëm mirë. Patëm raste për të bërë edhe golin e dytë, por pas golit të barazimit, u shpërfytyruam totalisht. Ishim të dërrmuar psikologjikisht dhe ishte një humbje e turpshme, por nuk di si t’i shpjegoj 30 minutat e fundit.
Në katër ndeshje keni shënuar vetëm dy gola, të dy me Mazrekajn. A prisnit diçka më shumë nga sulmuesit e tjerë?
Komplimente për Mazrekajn, që edhe sot ishte protagonist. Edhe në disavantazh ishte i vetmi që luante futboll. Adeleke mund të mos tregohej aq egoist, pasi duhej të mbyllnim ndeshjen, por edhe këto episode ndikojnë ne fatin e një takimi.
A ndikoi fakti që nuk kishit asnjë nga treshja e mesfushës së sezonit të kaluar?
Ajo ishte një treshe shumë e konsoliduar dhe sot u detyrova të luaj me Zarubicën në pjesën e dytë, pasi mungonte edhe Spahiu për shkak kartoni. Babatunde e justifikoi pjesën e parë, por vuajti në të dytën. Është mesfushë e improvizuar dhe besoj që aty është pika jonë më e dobët.
Arena e Lajmit
