Pas më shumë se 100 ndeshjesh ndërkombëtare, Deniz Ajtekin ka vendosur të varë bilbilin e tij e të tërhiqet nga arbitrimi ndërkombëtar. Gjyqtari 44-vjeçar gjerman ishte në listën e FIFA-s prej vitit 2011 dhe vendimi i largimit të tij nga gjykimi i surprizoi të gjithë mëngjesin e së enjtes.
Ai arbitroi 25 ndeshje në Champions, 28 në Ligën e Europës dhe 1 në Ligën e Konferencës, ndërsa numëron edhe 23 ndeshje ndërkombëtare.
“Gjatë ditëve të fundit kamë folur intensivisht me familjen dhe miqtë për ta ardhmen time ndërkombëtare. Si rezultat po tërhiqem si arbitër i FIFA-s pas 12 vitesh. E diskutova këtë vendim edhe me dizenjatorin e UEFA-s, Roberto Rozeti, dhe unë kisha vetëm një dëshirë: Të kaloja më shumë kohë pranë familjes dhe miqve”, ishin fjalët e Ajtekin.
Ai gjithashtu ishte dhe protagonist në sfidën që Shqipëria luajti përballë Izraelit në “Elbasan Arena”, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Rusi 2018”, ku vendosi me dy kartona të kuq të pamerituar.
Ajtekin ishte dhe protagonist në ndeshjen e famshme midis Barcelonës dhe PSG-së në vitin 2017, ku katalanasit triumfonin 6-1 për t’u kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ndeshje e cila u përfshi në shumë polemika.
Arena e Lajmit
