Kushtet tani i vendos titullari i padiskutueshëm i zikaltërve, te Interi kërkon kontratë prej lideri

Milan Shkriniar është jetik për Interin dhe këtë e kanë pohuar me radhë të gjithë protagonistët zikaltër, nga shokët e tij në fushë te trajnerët e drejtuesit.

SKRINIAR 1

Kur PSG-ja dhe Çelsi nuk janë më në gjurmët e tij, duket se qëndrimi i tij në Milano është i sigurt, të paktën aq sa siguri mund të ketë kur merkatoja do edhe një muaj të përfundojë.

Gjithsesi, klubet që mund të vihen në ndjekje të tij nuk do ta kenë aq të lehtë të mbërrijnë te mbrojtësi, pasi Interi kërkon të paktën 70 milionë euro, edhe pse Inzagi nga ana e vet i ka kërkuar kryesisë që të paktën edhe këtë vit, Shkriniar mos të preket.

Por ajo që shqetëson klubin është fakti që 27-vjeçari ka vetëm një vit kontratë dhe nëse nuk do të rinovojë në qershorin e ardhshëm, mund të largohet me parametër zero, që do të ishte një goditje e rëndë për zikaltrit.

RINOVIMI – Për këtë arsye në shator janë planifikuar bisedimet e para me lojtarin dhe agjentin e tij për të rinovuar kontratën deri në 2027, një zgjatje ama që do të vijë nëse do të plotësohen kushtet e vendosura këtë herë nga sllovaku.

Shkriniar e di shumë mirë çfarë ofron për skuadrën dhe çfarë do të thotë ai për grupin dhe kërkesat e tij do të shkojnë paralelisht me rolin që ka.

3 milionë eurot që përfiton aktualisht duhet minimalisht të dyfishohen dhe mbrojtësi nuk ka ndër mend të kënaqet me më pak se 6 milionë euro, për të mbërritur në të njëjtin nivel page me Brozoviçin e Lautaron, shtyllat e reparteve të tjera.

Jo vetëm për rolin, por Interi duhet t’i bëjë mirë llogaritë edhe me ofertat që mund të vijnë nga klubet e tjera, duke marrë këtu parasysh faktin që PSG-ja kishte përgatitur një kontratë prej 7.7 milionë eurosh në sezon plus bonuset për të.

Me të tillë konkurrencë zikaltrit e dinë që duhet të kënaqin dëshirën e Milanit për të mos humbur jo vetëm qëndrueshmërinë në prapavijë, por një lojtar të aftë të nisë manovrën, të shtyjë skuadrën para dhe po ashtu të gjejë edhe golin.

Këtë e ka konfirmuar edhe të enjten pasdite kur me rikthimin në fushë shënoi në ndeshjen e kontrollit ndaj Pro Sestos, ndërkohë që është i tiji edhe goli i parë i kampionatit të shkuar ndaj Xhenoas, diçka që sllovaku kërkon të përsërisë edhe këtë sezon ndaj Leçes.

Por ndërsa mungojnë edhe dy javë nga nisja e Serisë A, Interi e di se për të përfituar nga cilësitë e mbrojtësit duhet më parë të hapë thesin.

Përgatiti: NISLI GJINI


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×