
Eksperti i Taksave Sajmir Laçej, u shpreh këtë të hënë kundër projekt ligjit të qeverisë shqiptare për rritjen e akcizës së birrës. I ftuar në emisionin “Open”, në News 24, Laçej deklaroi se qeveria duhet të mbrojë prodhimin vendas dhe ajo nuk po e bën një gjë të tillë.
Ai shton se edhe nëse do të ishte një nismë e drejtë është në kohën e gabuar për shkak të vështirësive shumë të mëdha që po kalon biznesi.
Sipas tij kjo nismë ka efekte minimale në të ardhura shtesë dhe humbje shumë të mëdha për biznesin.
Paketa fiskale i referohet nevojës për të përafruar legjislacionin dhe nivelet e taksimit me BE. Sipas Legjislacionit në fuqi diferencimi i taksimit sipas prodhimit është plotësisht i përafruar me standardin e Direktivës 92/93/EEC, Nenin 4.
Gjithashtu FMN rekomandon në mënyrë permanente eliminim të përjashtimeve apo reduktimeve të Taksimit. Janë 27 rekomandime të listuar në strategjinë afatmesme, raport i FMN. Adoptim i tyre nuk mund të bëhet në mënyrë mekanike pa analizuar pasojat. Në këtë paketë, MFE ka iniciuar rishikimin e diferencimeve për taksimin e birrës dhe verës. Nga informacionet që kam ka reflektuar duke mos ndryshuar sistemin aktual të Taksimit për verën, dhe ka bërë shumë mirë. Uroj që e njëjta gjë të ndodhë për birrën që kontribuon me vetëm 1.5% të të ardhurave të Akcizës vjetore.
“Me rëndësi të veçantë është mbrojtja e investimeve dhe i respektimit të parimit të sigurisë juridike. Kërkojmë si shtet rritjen e investimeve të huaja por së pari duhet të japim shembull që dimë të mbrojmë ato vendase”, tha Laçej.