Xhixhi Bufon nuk di të përmbahet kur flitet për Di Marian. Dhe nëse në një intervistë të 2-3 javëve më parë, kur emri i tij u përfol për te Juventusi, ai nuk ngurroi që ta etiketonte argjentinasin si “Maradonën e ardhshëm të Serisë A”, edhe dje ka vazhduar me komplimentet e tij “qiellore”.
“Siç e thotë qartë emri i tij, Angel (Engjëll), i tillë është Di Maria për botën e futbollit. Por jam i bindur që një Engjëll do të jetë edhe për Juventusin, në sezonin që pritet të nisë. Besoj e parë të gjithë diferencën që bëri në dy miqësoret e para”, bëri hyrjen e tij Bufon për “TuttoSport”, teksa aktualisht është në fazë përgatitore në Pinzolo, me Parmën.
Xhixhi, duket sikur kudo që shkoni, ndonëse me një tjetër fanellë, Juventusi ju përndjek. Kjo, pasi Pinzolo ka qenë një nga bazat më të shpeshta të Juves në të kaluarën për fazën përgatitore. Nëse mbyllni sytë, na thoni cila është anekdota e parë që ju vjen në mend?
Kujtimi i parë nuk është i bukur. Këtu, në kohën kur Juven e drejtonte Ranieri, pësova një dëmtim të rëndë në diskun e legenit, i cili më detyroi që në vitet e ardhshme t’i nënshtrohesha një operacioni.
Po, e mbajmë mend. Madje, atëherë flitej se mund të ishit i detyruar që edhe të tërhiqeshit, por ja tek jeni, 44 vjeç, ende në aktivitet dhe në formë super.
Unë e jetoj jetën si njeri dhe sportist i lirë, me qetësinë maksimale. E vetmja gjë që nuk më kalon kurrë në kokë është mosha ime, ndonëse kur ma kujtojnë më vjen shumë mirë që vazhdoj të bëj ende disa gjëra të mira në fushë. Më pëlqen ende të konkurroj me të tjerët dhe adrenalina ndizet automatikisht. Madje, edhe kur ka ndonjë ndeshje që nuk e ndjej, arrij t’i gjej një objektiv vetes, për të qenë i përqendruar maksimalisht në fushë.
Pas sezonit të kaluar të Juves me zero trofe, Alegri në daljen e tij të parë e tha shumë qartë: “Jemi të dënuar që të rikthehemi te titulli kampion”. Jeni dakord me atë?
Askush më mirë se Alegri di të interpretojë atë që njerëzit presin nga skuadra e tij. Dhe mendoj se në oratorizëm, kam parë pak persona që të jenë më të mprehtë sesa Maksi, edhe publikisht. Nëse Alegri e thotë me zë të lartë atë, është sepse kërkon që të shtojë ndjenjën e përgjegjësisë tek të gjithë.
Juventusi duhet të rikthehet protagonist që nga ndeshje e parë me Sasuolon. Alegri e njeh në perfeksion ambientin Juve, i cili mund të tolerojë një vit të mbrapshtë, por kurrsesi dy radhazi. Unë mendoj se skuadra që po formohet sivjet ka konturet që i përshtaten më së miri imazhit të tij. Në të njëjtën kohë, Maks, di të menaxhojë në mënyrë perfekte kampionët e mëdhenj dhe t’i bëjë të kuptojë se kur është momenti që ato duhet të japin maksimumin dhe kur të karikojnë bateritë.
Nga katër goditjet e bëra deri tani spikat pa dyshim Di Maria, ish-shoku juaj te PSGja. Si do t’ia përshkruanit një fëmije atë çfarë është i aftë të bëjë argjentinasi?
Angel është një nga ata futbollistë që ka pasur fatin e keq (në sensin e mirë të fjalës) që ka luajtur gjithmonë në skuadrat më të forta të Europës, të përbërë nga shumë kampionë në to. Dhe ai, duke qenë më pak mediatik sesa të tjerët ka dalë më i penalizuar nga ky fakt.
Gjithsesi, futbollistë të tillë kam njohur dhe mund të bëj plot shembuj vetëm gjatë karrierës sime. I pari që më vjen ndërmend për shembull është Andrea Barzalji, një mbrojtës më shumë se madhështor, po i reklamuar më pak sesa të tjerë që nuk ishin as sa gjysma e tij.
Mungesa e meritokracisë në futboll është një sëmundje e madhe, por meqë disa prej tyre i kam jetuar vetë, dalëngadalë do t’i tregoj… Dhe Di Maria është një prej tyre. Po flasim për kampionë fenomenalë, që përmbledhin cilësinë, fizikun, mentalitetin, profesionalizmin, kapacitetin për të bërë grup dhe sakrificën për të mirën e skuadrës.
Pra, ndjesia e parë është se Di Maria do të jetë futbollisti më i fortë i Serisë A sezonin e ardhshëm?
Po!
Di Maria tregoi se kishte folur me ju, përpara se të firmoste me Juventusin. Çfarë fjalësh përdorët për ta bindur?
Nuk e binda unë, këto janë zgjedhje personale. I kam shkruar Angelit vetëm kur tratativa ishte në hapat e saj finalë. I dërgova një mesazh duke i shprehur gëzimin tim dhe për t’i thënë se kishte bërë zgjedhjen e duhur, sepse Juventusi, mes strukturës drejtuese dhe ambientit që do të gjejë me pjesën tjetër të ekipit, nuk do t’i tradhtojë pritshmëritë e tij.
Madje, pas ditëve të para e dëgjova Angelin shumë të lumtur. Së bashku kishim një raport shumë të mirë te PSG-ja, pinim kafen gjithmonë së bashku përpara stërvitjeve. Më saktë, ishte ai që më së shpeshti më përgatiste ekspresin, unë më pak. Pastaj, Di Maria është nga ata që së bashku me njerëz si Markuinjos, Dani Alvesh dhe shpesh edhe Kimpembe, e gjenim njëri-tjetrin një orë përpara të tjerëve dhe nisjes së stërvitjes, duke punuar në palestër.
Di Maria është një prej specialistëve të asisteve. Sa gola do të realizojë Vlahoviç falë argjentinasit?
Pikësëpari, vetë Angel të garanton të paktën 10-12 gola çdo sezon. Pastaj është po kaq e vërtetë se altruizmi i tij është hyjnor, shpesh herë edhe i tepruar. Por jam i sigurt se Vlahoviç do të bëjë qejf përkrah tij.
Pas Di Marias një tjetër ish-shok skuadre juaji te PSG-ja mund të përfundojë në Torino. Çfarë mendoni për Paredesin?
Po, do ta shihja mirë te Juventusi. Leandro, përveçse një lojtar mjaft i besueshëm, është nga ata që nuk e njeh, nuk e vuan aspak presionin dhe di se si të sillet në nivele të larta. Mendoj se mund të ndihmojë Juven, nëse vjen.
Pogba fatkeqësisht u ndal nga një dëmtim dhe me shumë mundësi pritet që të operohet, duke qëndruar jashtë për 2 muaj…
Më vjen keq, sepse Pol është vërtet i madh. Ka bërë një zgjedhje shumë të drejtë duke u rikthyer në Torino. Për të Juventusi është diçka speciale, qoftë si skuadër, ashtu sikurse ambienti brenda dhe jashtë fushe. Pogba, kur të rikuperohet, do të jetë një avatar i Serisë A.
Duke mbetur te zgjedhjet me zemër, do të ishit i gatshëm të vinit bast një picë mbi rikthimin e radhës së Moratës te Juventusi?
Alvaro është gjendur gjithmonë komod te Juventusi dhe ka bërë gjëra fantastike për skuadrën. Edhe ai është pjesë e klubit të të nënvlerësuarve. Alegri e di mirë këtë, ndërsa unë di se Alegri do ta donte sërish, me çdo kusht!
Dibala ndërkohë ka dërguar në ekstazë Romën. Ju bën përshtypje kjo?
Jo, sepse Paulo kishte të drejtën që të zgjidhte, pasi u la i lirë me parametër zero nga Juventusi. Kur në javët e kaluara pashë që ai duket i sigurt për të kaluar tek Interi, ndonëse në garë ishin edhe Roma e Napoli, unë lutesha që të zgjidhte një prej këtyre dy të fundit, siç ndodhi. E shpresoja për karrierën e tij. Paulo kishte nevojë për një shkundje emocionale, por isha i bindur se vetëm Roma dhe Napoli mund t’ia jepnin atë. I çova edhe një mesazh madje, se isha i lumtur që e shihja te Roma, sepse mendoj që nga aspekt teknik, ai është lojtari më i mirë i Serisë A, pas Angel di Marias.
Jeni më i habitur nga De Ligt te Bajerni apo Bremer te Juventusi?
Më vjen keq të shoh De Ligtin larg nga Juventusi, sepse Matajs ishte lojtari klasik, kishte hijen e duhur për të qenë kapiteni i ardhshëm i Juventusit për zotësinë, cilësinë dhe karakterin. Është një mëkat i madh, por në fund, nëse Bajerni ishte dëshira e tij, amen! Bremer nga ana tjetër vjen nga një sezon i kaluar ku u shpall mbrojtësi më i mirë i Serisë A. Sigurisht që kërcimin e lartë që ka bërë nga Torino te Juvja ndoshta do ta paguajë disi. I ndodhi edhe De Ligtit në fillim, por potencialin e Bremerit nuk mund ta vërë askush në dyshim.
Ndërkohë, Kristiano Ronaldo është krisur me Mançester Junajtidin. Duke qenë një prej miqve tuaj më të mirë, mos keni ndonjë tundim për ta ftuar te Parma?
Në të kaluarën, Ronaldo ka qenë shumë pranë Parmës… Problemi i vetëm i Ronaldos është të luajturit në Champions, por ne këtu nuk ia ofrojmë dot. Kam disa kohë që nuk dëgjohem me Kris. Kemi një marrëdhënie vlerësimi reciproke shumë të fortë. Dhe realisht edhe mund ta kuptoj, pasi CR7, përveçse është një kampion, është një racë tjetër lojtari nga të tjerët. Ai ka një forcë kafshërore brenda vetes për të fituar, e cila e bën që të duket nga një tjetër planet. Jashtëtokësor është.
Përgatiti: JETON STAMOLLA – Arena e Lajmit
