Kukësi shpreson që me fazën përgatitore të cilën po e zhvillon në Turqi, të jetë gati për startin e kampionatit, kur më 20 gusht kalendari i ka rezervuar përballjen me kampionët e vendit, Tiranën. Tri janë shtyllat ku po përqendrohet tekniku Skënder Gega për ta sjellë skuadrën në parametrat e duhur: harmonizimi i grupit nëpërmjet miqësoreve, teoria e ndërthurur me praktikën dhe ana psikologjike nëpërmjet relaksimit. Këto tri elemente pritet që tekniku t’i shfrytëzojë në maksimumin gjatë qëndrimit në Turqi, me shpresën që kur të nisë kampionati, skuadra të jetë plotësisht gati.
HARMONIA – Kukësi është në ndërtim e sipër, pasi janë bërë shumë lëvizje dhe problemi kryesor është harmonizimi i grupit. Për fat të mirë, baza kryesore mbetet nga sezoni i kaluar, por sfidë më vete është përshtatja e tyre me të ardhurit nga merkatoja.
Për këtë arsye, Kukësi do të zhvillojë edhe të paktën dy miqësore të tjera të programuara, ndërsa po shihet edhe për ndonjë tjetër shtesë. Vetëm nëpërmjet këtyre ndeshjeve, Gega do të ketë mundësinë që të shohë realisht ku është skuadra dhe deri ku mund të shkojë. Në sfidën e parë ndaj Istanbulsporit u aktivizuan të gjithë, ndërsa e njëjta gjë pritet edhe në përballjet në vazhdim.
TEORI & PRAKTIKË – Stërvitja në Turqi është e ndarë në dy pjesë: teori dhe praktikë. Gega e sheh të nevojshme që t’u shpjegojë lojtarëve më me detaje edhe skemat në anën teorike, në mënyrë që implementimi i tyre në fushë të jetë edhe më i lehtë.
Nga të gjithë lojtarët kërkohet që të zbatojnë me rigorozitet detyrat që u shpjegohen në teori dhe u jepen në fushë, pasi vetëm kështu mund të eliminohen defektet dhe të arrihet tek rezultati. Mbetet për t’u parë nëse kur të nisin ndeshjet zyrtare skuadra do të dijë të tregojë në fushë ato që ka përfituar.
RELAKSI – Ana psikologjike shihet si shumë e rëndësishme në një skuadër nga ana e Gegës, ndaj në Turqi po punohet edhe në këtë aspekt. Pas përgatitjeve intensive, lojtarët kanë mundësinë që të vizitojnë zonën piktoreske në të cilën janë akomoduar kuksianët.
Pak relaks u bën mirë dhe futbollistët janë duke e shfrytëzuar në maksimum këtë moment. Me pak fjalë, nuk ka vetëm “regjim kazerme” siç janë zakonisht periudhat e grumbullimit, por kanë edhe kohën e lirë që mund ta shfrytëzojnë për t’u relaksuar.
VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit
