Pas shumë largimeve të njëpasnjëshme në ekipin e Erzenit nga grupi i vjetshëm, që e ngjiti ekipin në Kategorinë Superiore, pati aludime edhe për lojtarë të tjerë.
Njëri prej tyre ishte Enk Souza, një pikë kyçe në sezonin e kaluar në repartin difensiv për ekipin e Erzenit. Mbrojtësi brazilian i dalë nga akademia e Bahias tregon në një intervistë për “Panorama Sport” rreth thashethemeve për të ardhmen dhe jetën e tij në Shqipëri.
U përfol se mund të largoheshit nga Erzeni drejt një klubi tjetër në Superiore, sa i vërtetë është ky lajm?
Për momentin jam lojtar i Erzenit dhe do të jem pjesë e këtij ekipi në këtë sezon. Më vonë le të shohim çfarë na rezervon e ardhmja.
A mendoni se do të jetë një vit i mirë ky për ju me pjesëmarrjen në Superiore?
Mendoj se do të jetë një vit i mrekullueshëm jo vetëm për mua, por për të gjithë shokët e ekipit.
A e kishit të lehtë përshtatjen në Shqipëri dhe a po e shijoni qëndrimin këtu?
Po e shijoj qëndrimin këtu. E kisha pak të vështirë ambientimin në fillim, por me kohën po përshtatem. Ushqimi është pak më ndryshe se në Brazil, por i shijshëm.
Si sillen njerëzit me ju dhe cilin futbollist keni si shembull?
Njerëzit rreth meje janë tepër miqësorë dhe u jam shumë mirënjohës për këtë. Kam disa futbollistë si frymëzim, por do të veçoja Markinjosin e PSG-së dhe Tiago Silvan, pasi janë me afër karakteristikave të mia si qendërmbrojtës. Janë teknikë, të shpejtë dhe që pëlqejnë të sulmojnë.
RONALD FAJA – Arena e Lajmit
