Nevil Dede, trajneri i ri i Dinamos, që do të ketë misionin për ta rikthyer menjëherë në Superiore skuadrën blu, foli për “Panorama Sport” pas ndeshjes miqësore ndaj Partizanit, e përfunduar me shifrat 1-1. Ish-mbrojtësi shprehet se skuadra ka qenë mjaft e lodhur, por shfaqet i kënaqur në disa elemente që skuadra e tij arriti t’i zbatojë në fushë.
Trajneri tiranas shprehet se skuadra ka ende nevojë për afrime. Dede shprehet se aktualisht është formuar vetëm 60% e ekipit, duke paralajmëruar ndryshime të tjera deri në nisjen e kampionatit. Trajneri parashikon garë të fortë për ngjitjen në Superiore, duke marrë shkas nga emrat e mëdhenj që luajnë këtë vit në të Parën.
Si ju duk skuadra në këtë miqësore?
Të jem i sinqertë jemi në kulmin e ngarkesave, lojtarët gradualisht po përshtaten me ngarkesën në stërvitje. Kemi bërë çdo ditë nga dy seanca stërvitjeje dhe një seancë fizike, duke dalë me nga tri seanca në ditë. Për sa u përket disa gjërave, që i kishim si qëllim në këtë ndeshje, i arritëm.
Gjithmonë ka vend për përmirësim. Jemi në periudhë përgatitore kur skuadra duhet të konsolidohet. Bëmë disa gjëra të mira e disa jo të mira, por në fund ndeshja shërbeu mbi të gjitha si stërvitje, pastaj duhet të mendosh edhe të marrësh rezultatin. Gjithsesi, ne kemi lojtarë shumë të rinj, në pjesën e dytë kemi aktivizuar lojtarë të ditëlindjes 2004-2005, shpresojmë t’i rrisim këta lojtarë me ndihmën e grupit të lojtarëve me emër dhe eksperiencë, që kemi në skuadër.
E ka mbyllur Dinamo merkaton apo prisni ende afrime?
Nuk jemi kompletuar ende. Jemi diku te 60% e skuadrës. Ka vend për përmirësim gjithmonë.
Prisni një garë të fortë për ngjitjen në Superiore, duke qenë se në të Parën do të garojnë emra të mëdhenj të futbollit shqiptar?
Gara do të jetë e fortë, emrat e skuadrave në këtë kategori janë për t’u respektuar dhe gjithë komuniteti i futbollit shqiptar është nostalgjik për ato skuadra dhe historinë që ata kanë bërë. Do të jetë kënaqësi që të shkojmë në ato qytete dhe të përballemi me ta. Pastaj do të shohim kush ka bërë më mirë dhe kush është më i zoti.
– Arena e Lajmit
