Dinamo ka ndryshuar jo vetëm përbërjen e lojtarëve, por edhe gjeografinë për sezonin e ri. Te blutë duket se ka një trend drejt veriut, pasi prurjet e verës janë shumica nga qytetet veriore të Shqipërisë. Mund të jetë edhe efekti i afrimit të Kristjan Gjidodës, ortakut të presidentit Adrian Bardhi.
Dy sezone më parë, kur kryeqytetasit luanin në Kategorinë e Parë, bazoheshin te një formacion miks, ku binte në sy prania e katër pogradecarëve (Pere, Hidri, Berberi dhe Alillari). Në Superiore organika ishte edhe më e përzier, me shumë lojtarë nga Maqedonia e Veriut. Tani, Dinamo e trajnerit Nevil Dede sheh nga veriu.
LEZHA – Përbërjen aktuale të Dinamos e dominojnë lojtarët nga qytetet veriore, kryesisht nga Lezha, që ka 5 lojtarë, duke përfshirë edhe portierin Simon Simoni që pritet të shitet. Lezhjanët e tjerë janë Redon Danaj, i ardhur së fundi, Françesko Daija, Alisio Përloshi dhe Aurel Marku. Patrik Fetaj, një tjetër afrim i bluve nga skuadra e Besëlidhjes, ka lindur në Pukë, ashtu si dhe sulmuesi Taulant Marku. Deri në mbylljen e merkatos ka gjasa që numri i lezhjanëve të Dinamos të rritet.
VERIORËT – Ka edhe të tjerë lojtarë të bluve të afruar në merkaton e verës që janë nga qytetet e veriut. Mesfushori Ersil Ymeri dhe portieri Sinan Dani janë nga Shkodra. Nga grupi i vjetshëm është edhe laçiani Indrit Prodani.
TË TJERËT – Pjesa tjetër e Dinamos përbëhet nga lojtarët kryeqytetas dhe të huaj. Nga juglindja janë vetëm korçari Sabien Lilaj dhe Oresti Kasmollari, pogradecar i lindur në Greqi. Në vendin fqinj ka lindur edhe mbrojtësi Alesio Mija. Kryeqytetas dhe që kanë më shumë lidhje me Dinamon janë Edvan Bakaj, Eni Imami dhe Asion Daja. Edhe Patrik Bardhi ka lindur në Tiranë. Në grupin e të huajve për momentin bëjnë pjesë dy brazilianët Denison dhe Diogo, si dhe dy afrikanët Dikson dhe Ali Samake. Rexhinaldo mbetet në pikëpyetje te Dinamo. Pas viteve ’90 duhet theksuar se blutë janë bazuar te disa shkolla të njohura të futbollit shqiptar, si ato të Elbasanit, Korçës dhe Vlorës e Fierit. Po ashtu, ka pasur shumë lojtarë ballkanas, afrikanë dhe argjentinas.
FATJON RUPI – Arena e Lajmit
