Çmenduritë e Barcelonës, nga e falimentuar në rekord blerjesh. Njihuni me klubet që kanë shpenzuar më shumë në merkato

Merkatoja e lojtarëve është në kulmin e saj, teksa klubet kanë lëvizur për të përforcuar radhët në prag të nisjes së sezonit të ri. Nga fundi i merkatos ka mbetur thuajse një muaj, teksa klubet më të rëndësishme në Europë kanë hapur thesin, duke shpenzuar miliona të panumërta. Premier Liga në tërësi mbetet kampionati ku shpenzimet janë vërtetë kolosale.

barcelona - rafinja

Shifra e shpenzimeve në merkaton në ishull i ka kaluar të 1 miliard eurot, teksa ajo që bie në sy është rritja e shpenzimeve në Gjermani. Gazeta gjermane “SportBild” i ka bërë një analizë listës së klubeve që kanë shpenzuar me shumë në merkato, teksa në krye të saj qëndron Barcelona. Pa diskutim që kjo është dhe surpriza e madhe, duke parë vështirësitë financiare të katalanasve në sezonin e fundit. Një tjetër risi është Bajerni i Mynihut, që ka thyer barrierën e 100 milionë eurove të shpenzuara në merkato. Diçka jo fort e zakonshme për merkaton në Gjermani dhe për këtë klub. Ndërsa në Angli surpriza mban emrin e Arsenalit, që ka shpenzuar më shumë se kushdo deri më tani.

BARCELONA: 153 MILIONË EURO

Katalanasit, të cilësuar nga të gjithë si të falimentuar, janë ata që kanë shpenzuar më shumë se kushdo deri më tani në merkato. I mbështetur nga 650 milionë euro si rrjedhojë e shitjes së të drejtave televizive, Laporta ka liruar dorën, duke afruar lojtarë si Levandovski, Kunde e Rafinja për të cilët janë shpenzuar 153 milionë euro. Pa harruar këtu Dembelenë, Kristensen e Kesin, të ardhur me parametra zero.

BAJERN MYNIH: 137.5 MILIONË EURO

Bajerni mbetet klubi numër një në Gjermani për shpenzime këtë verë. Afrimet e Di Ligt (67 mln), Sadio Mane (32 mln), Tel (20) dhe Gravenbersh (18.5) i rendisin kampionët e Gjermanisë të dytët në merkato pas Barçës.

ARSENALI: 132 MILIONË EURO

Arsenali ka afruar 5 lojtarë deri më tani në merkaton e verës, teksa blerja më e shtrenjtë ka qenë Gabriel Zhezus nga Mançester Siti me 52.2 milionë euro. “Topçinjtë” kryesojnë listën e klubeve angleze.

MANÇESTER SITI: 109 MILIONË EURO

Edhe “Qytetarët” e kanë kaluar murin e 100 milionë eurove të shpenzuara, me blerjen më të shtrenjtë, sulmuesin norvegjez Erling Haland, për të cilin paguan 60 milionë euro.

LIDS JUNAJID: 108.6 MILIONË EURO

Lidsi ka vendosur rekord me 12 lojtarë të afruar, mes të cilëve llogariten 6 rinovime në fund kontrate dhe 6 lojtarë të rinj. Blerja më e shtrenjtë është Brenden Aronson me 33 milionë euro.

TOTENHEMI: 102 MILIONË EURO

Seria e klubeve angleze në dhjetëshen e parë vijon me Totenhemin. Më në fund klubi i është përgjigjur trajnerit Konte, duke i afruar lojtarët e dëshiruar. Mes tyre dhe afrimi më i shtrenjtë i “Gjelave”, Riçarlison, 58 milionë euro.

NOTINGEM FOREST: 94.7 MILIONË EURO

Të ardhurit në këtë sezon në Premier nuk janë kursyer në merkato. 12 lojtarë të afruar për të garuar për mbijetesën.

ÇELSI: 94.2 MILIONË EURO

Blutë janë në fazë rindërtimi pas marrjes së drejtimit nga pronari i ri Ted Boeli. Sterling (56.2 mln) dhe Kulibali (38 mln) nga Napoli janë afrimet më të rëndësishme.

PARIS SG-JA: 91.5 MILIONË EURO

Zinxhiri anglez thyhet nga kampionët e Francës, PSG-ja, që si blerje të rëndësishme llogaritin Vitinjën nga Porto dhe Nuno Mendesh nga Sportingu.

UEST HEMI: 90.9 MILIONË EURO

Dhjetëshja e klubeve me më shumë shpenzime mbyllet nga Uest Hemi në Premier. Gati 91 milionë euro të shpenzuara nga “Çekanët” për 5 lojtarë të rinj, ku më i shtrenjti është Najef Agerd nga Reneja për 35 milionë euro.

Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×