Resuli: Ngjitja s’më vë në presion. Bëhuni gati për surpriza të tjera në merkato te Flamurtari

Flamurtari kërkon ngjitjen dhe ky është objektiv i panegociueshëm. Është ky shkaku që klubi nuk po kursehet në merkato, pasi pret që fundi i sezonit t’i gjejë në elitë. Dritan Resuli e ka pranuar këtë sfidë, por qartazi e thotë se nuk ndien kurrfarë presioni. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri analizon fazën përgatitore dhe flet për afrimet e bëra deri më tani. E megjithatë, paralajmëron se surprizat nuk kanë mbaruar.

RESULI

Keni hyrë në javën e tretë të përgatitjeve. Si po reagojnë lojtarët nga ngarkesat?
Jam i kënaqur nga të gjithë. Secili prej tyre ka cilësi të veçanta individuale që do të na vijnë në ndihmë në realizimin e objektivit. Kështu që, mendoj se jemi në rrugë të mbarë dhe se shumë shpejt edhe këta lojtarë do të ndërthuren me grupin, duke u përshtatur. Duke parë punën që po bëjnë në skuadër, por edhe vlerat që kanë, jam shumë i bindur se nuk do të vonojë përshtatja e tyre siç duhet me grupin e lojtarëve. Kemi shumë kohë në dispozicion deri në nisjen e kampionatit dhe kjo do të na ndihmojë shumë.

Pamë se testuat në miqësore thuajse një tjetër formacion me lojtarë të rinj dhe të stolit. I keni kushtuar vëmendje edhe akademisë?
Po, patjetër që akademia do të ketë një vëmendje të veçantë. Kampionati është i gjatë dhe na duhen shumë lojtarë edhe për stolin. Kam afruar edhe disa të rinj të tjerë nga akademia që po i shikoj dhe mendoj se edhe ata do të jenë pjesë e skuadrës së parë.

Shkalla është afrimi më i fundit i Flamurtarit. Si e vlerësoni?
Është një lojtar me eksperiencë, pasi ka luajtur në disa skuadra. Do të na ndihmojë shumë me potencialin që ka në qendër të mbrojtjes. E vlerësoj si lojtar dhe patjetër që pres shumë prej tij. Ashtu sikundër pres edhe nga e gjithë skuadra.

Do të vazhdojë merkatoja?
Patjetër që jemi në punë të vazhdueshme. Do të kemi edhe afrime të tjera cilësore, që besoj se do të jenë surpriza. Janë lojtarë që bëjnë diferencën. Po afrojmë lojtarë punëtorë që kanë bërë mjaft mirë në skuadrat ku kanë luajtur.

Klubi është treguar shumë i rezervuar në emra, a mund të na zbuloni ju diçka më shumë?
Nuk mendoj se është e nevojshme që të zbuloj emrat. Jemi në bisedime, ndaj prisni momentin kur të finalizohen. Një gjë dua ta them, drejtuesit po punojnë fort për të bërë një merkato cilësore.

Jeni në presion nga objektivi që i është vendosur skuadrës?
Sa herë që kam punuar te Flamurtari, nuk kam qenë asnjëherë në presion. Këtu të lënë të punosh. Por natyrisht që presioni bën edhe mirë. Të gjithë duhet të jemi në trysni, si ne si staf teknik edhe lojtarët. Kemi një sfidë të përbashkët, të kthejmë ekipin në elitë dhe kjo kërkon mobilizim.

– Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×