Xhonatan Lajthia është një nga lojtarët që Bylisi ka afruar në këtë merkato vere. Durrsaku e ka vijuar karrierën mes Superiores dhe Kategorisë së Parë. Lajthia ka qenë pjesë e Teutës për dy sezone dhe po nga dy sezone ka luajtur me Egnatian dhe Erzenin, për të vijuar vjet te Lushnja në Kategorinë e Parë.
Mesfushori me një fizik për t’u admiruar luajti 2200 minuta, si dhe shënoi 10 gola me lagunarët duke qenë një nga lojtarët e spikatur në ekipin verdhejeshil. Siç edhe thekson në prononcimin ekskluzivisht për “Panorama Sport”, Xhonatan Lajthia e quan skuadrën mallakastriote si zgjedhjen e duhur në karrierë. Ai shprehet se ky transferim do të shërbejë si një trampolinë për të ardhmen e tij.
“Kam eksperiencë si në Superiore dhe në Kategorinë e Parë, ku kam dalë edhe kampion me Egnatian. Vjet kam bërë një sezon shumë të mirë te Lushnja madje, duke spikatur edhe si shënues. Mendoj se jam në momentin e duhur që të tregoj vlerat e mia edhe në Superiore dhe për më tepër me një ekip si Bylisi, ku lojtarët me perspektivë kanë minuta dhe janë të preferuar edhe nga drejtuesit e stafi. Unë do të bëj më të mirën time që ta shfrytëzoj sa më mirë këtë mundësi. Këtë transferim te Bylisi e shoh si trampolinë, por edhe dua që të lë gjurmë përderisa po besojnë tek unë. Në fillim të merkatos kisha edhe 2-3 oferta nga ekipe të tjera të Superiores, por vendosa për Bylisin për arsyet që thashë më lart. Kemi grup shumë të mirë dhe me djem fantastik. Unë besoj se do të bëjmë surprizën këtë sezon”, përfundoi shtatlarti Xhonatan Lajthia.
TESTI- Bylisi do të vijojë që të masë forcat me ekipe të së Parës. Një nga pretendentët për t’u ngjitur, Skënderbeu, do të jetë ditën e sotme përballë ballshiotëve në një test miqësor. Ndeshja do të luhet sot pasdite në qytetin e Korçës duke nisur nga ora 17:00. Bylisi në datën 7 do të luajë testin e parë me ekip Superioreje, siç është Partizani. Ky duel cilësohet edhe si një lloj prove gjenerale për ballshiotët. Edhe pas miqësores me Partizanin, mallakastriotët do të vijojnë të qëndrojnë në Pogradec dhe pritet të zhvillojnë një miqësore tjetër me kundërshtar serioz.
ERJON SALIU – Arena e Lajmit
