Stërvitje intensive, shtim të numrit të ndeshjeve miqësore, por edhe afrime futbollistësh. Madje të atij “lloji”, që i lakmojnë dhe skuadrat e tjera, që t’i kenë pronësi të tyre. Në këtë trekëndësh është përqendruar puna e stafit dhe e futbollistëve rrogozhinas. Të ndodhur që prej datës 11 korrik në Ohër të Maqedonisë së Veriut, rrogozhinasit e kanë shfrytëzuar më së miri këtë periudhë, e cila i ka dhënë efektet edhe me kompletimin e radhëve me prurje cilësore. Madje me lojtarë shumë të mirë për nga përvoja, siç është edhe qendërmbrojtësi, që vjen nga Laçi, Renato Malota.
PREZANTIMI – Pak para miqësores së sotme ndaj Vardarit të Shkupit, presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, pasi të ketë mbyllur rreth mesditës procesin e kontratës së re, do të presë edhe zbritjen në fushë të qendërmbrojtësit Renato Malota.
Lojtari, që deri pak ditë më parë ishte pjesë e Laçit në kompeticionin e Ligës së Konferencës, tanimë do të vishet me fanellën e Egnatias dhe do të zyrtarizohet nga sot në organikën e rrogozhinasve. Me ketë afrim, prapavija e Egnatias gjen një “stoper” tipik, duke e bërë këtë repart tashmë një “bunker” për manovrën e sulmuesve kundërshtarë.
Forma e Malotës as që vihet në diskutim, sepse ai gjatë tërë kësaj vere ka qenë i impenjuar dhe ka treguar nivel të lartë në takimet ndërkombëtare të luajtura me Laçin. Qendërmbrojtësi shtatlartë (1.91 m), ka një karrierë shumë të spikatur nga sezoni 2008-‘09, kur ka bërë të parin debutim e gjer më sot me 6 skuadra.
Me Partizanin, Dinamon, Kukësin, Besëlidhjen, Vllazninë dhe në dy sezonet e fundit me Laçin. Në total ka luajtur në kampionatet kombëtare Superiore dhe të Kategorisë së Parë 324 ndeshje dhe ka shënuar 17 gola.
MIQËSORJA- Pasi kanë luajtur më parë ndaj Strugës duke humbur 2-4, Ohrit, ku fituan 3-0, Pobedës, me të cilën barazuan 2-2, takime këto të luajtura në Strugë dhe Ohër, Egnatia luajti edhe në Pogradec fundjavën e shkuar me Teutën dhe arritën të fitojnë në limitin e kohës shtesë me shifrat 1-0, nëpërmjet 11- metërshit të finalizuar nga braziliani 26-vjeçar, Fernando Medeiros.
Përballë Vardarit të Shkupit, një skuadër tepër e fortë, do të jetë miqësorja e fundit për rrogozhinasit gjatë kësaj vere të nxehtë ndaj skuadrave të shtetit fqinj.
Para kthimit nga Ohri, të shtunën Egnatia, sipas konfirmimit nga drejtuesit e stafit teknik, do të luajë miqësoren e dytë në qytetin e Pogradecit, duke pasur këtë radhë përballë Dinamon. E menjëherë pas kësaj ndeshjeje do të rikthehet në Rrogozhinë.
FATMIR EFICA – Arena e Lajmit
