“Paratë e para i kurseva për bluzën e Ronaldinjos”, rrëfimi i veçantë i Mane: S’jam yll, prindërit nuk më lënë as të lyej flokët

Sadio Mane debutoi duke lënë gjurmë menjëherë me fanellën e Bajernit me gol në Superkupën e Gjermanisë kundër Lajpcigut. Gjatë një interviste për revistën e Bajernit, “Magazine 51” sulmuesi senegalez shpjegoi përse nuk e quan veten një yll, vendos një bast dhe zbulon se zotëron “Lederhozen”, pantallonat tradicionale të lëkurës së Bavarisë.

bad844f1628f9f1f

Sadio, fëmijët ishin duke thirrur emrin tuaj me entuziazëm gjatë stërvitjes së parë në “Säbener Straße”: “Mane, je më i miri”. Ata u ngjitën edhe në pemë për të parë. E vutë re këtë?

Po, dhe isha shumë i lumtur. Kjo më motivon shumë sigurisht. Dua të bëj më të mirën time këtu çdo ditë në stërvitje dhe në ndeshje, për skuadrën dhe tifozët.

A është kjo të jesh futbollist: të bësh sytë e fëmijëve të shkëlqejnë?

Mendoj se po. Më kujtohet ende dita kur isha fëmijë. Admiroja lojtarët e mëdhenj dhe doja të bëhesha si ata. Prandaj është e rëndësishme për mua të bëj fëmijët e lumtur me lojën time. Fëmijët janë gjithashtu kritikët më të sinqertë.

Kë keni pasur idhull në fëmijëri?

Ronaldinjo dhe El Haxhi Diuf. Ata ishin lojtarë të shkëlqyer. Kam parë video të tyre për orë të tëra dhe provoja t’i imitoja.

A i keni fanellat e tyre?

Sigurisht. Nëna ime më dhuroi një të Diufit dhe kur u rrita edhe pak bleva një vetë të Ronaldinjos. Punoja ekstra, fitoja para dhe kurseva për atë. Ishte një ëndërr të vishje emrin e tij.

Sot ju jeni vetë një yll botëror, por a ndiheni i tillë?

Njerëzit thonë këtë për mua, por unë nuk e shoh veten aspak si një yll botëror. Nuk di nga t’ia nis me ketë shprehje. Unë dua të shkoj në limite për shokët e ekipit: të shënoj, dhuroj asiste dhe fitoj ndeshje. Jam këtu për të dhënë më të mirën time për Bajernin.

Si e shihni rolin tuaj te Bajerni? Rrethanat e transferimit janë ndryshe nga e shkuara, ku ju është dashur të punonit fort për të arritur statusin tuaj.

Kur mbërrin në një klub të madh si Liverpuli apo Bajerni në një moshë të re nuk është gjithnjë e lehtë. Duhet ende të mësosh shumë, në të gjitha aspektet e jetës. Unë kam kaluar shumë në karrierë, jam përmirësuar si njeri dhe futbollist. Tani dua ta sjell të gjithë përvojën time për të ndihmuar skuadrën dhe ta bëjmë atë edhe më të fortë që të arrijmë objektivat tanë.

Çfarë e bën Bajernin special për ju?

Kur isha te Salcburgu shihja shumë ndeshje të tyre, madje edhe pasi u transferova në Angli e ndiqja Bundesligën. Përpara transferimit tim fola me Tiagon. Ai më tregoi gjithçka për skuadrën dhe qytetin. Të gjithë e njohin identitetin e Bajernit. Për mua motoja “Mia san mia” do të thotë se skuadra vjen gjithnjë e para. Është bashkimi dhe grupi ai që ka rëndësi, jo individualiteti. Kjo e bën Bajernin kaq special. Unë mund ta identifikoj veten me këtë filozofi shumë kollaj sepse jam shumë i bindur se kjo është rruga drejt suksesit. Prandaj nuk hezitova asnjë sekondë për shansin për të ardhur në Mynih.

Ju konsideroheni një djalë me këmbë në tokë dhe që e doni vendin tuaj. Nga rrjedhin vlerat tuaja?

Unë kam lindur në një fshat të vogël në Senegal të quajtur Bambali. U rrita dhe shkova në shkollë atje. Në kulturën time, prindërit janë shumë të rëndësishëm. Ata duhen dëgjuar, duhet treguar respekt. Mendoj se këto vlera janë shumë të rëndësishme në të gjitha aspektet e jetës dhe unë jam shumë mirënjohës që jam rritur në këtë mënyrë.

Sa shpesh shkoni në shtëpinë tuaj në Senegal? Si mendoni se është jeta atje, një jetë jashtë flluskës së futbollit?

Fatkeqësisht, të shkoja më shumë se një herë në vit ishte e pamundur gjatë sezoneve të fundit, sepse në 8 vitet e mia në Angli kemi pasur vetëm një herë pushim në dimër. Por sa herë mundem, shkoj dhe vizitoj prindërit e shokët e vjetër në Bambali. Është një fshat shumë larg qytetit më të afërt. Jeta atje është shumë më ndryshe sesa në Europë.

E kam të vështirë ta shpjegoj me fjalë, por kulturat janë shumë të ndryshme dhe situata për njerëzit atje nuk është e lehtë. Kjo të mban me këmbë në tokë. Kur jam atje, jam Sadio i dikurshëm. Luaj futboll me shokët, argëtohemi së bashku. E shijoj shumë sa herë kthehem. Vendi im përbëhet nga 17 milionë njerëz të çmendur pas futbollit dhe tani ata janë 17 milionë tifozë të Bajernit. Mendoj se do të shihni shumë flamuj të Senegalit në “Allianz Arena” këtë sezon.

Ju kemi parë të ndihmoni në vepra bamirësie në fshatin tuaj. Këtë e bëni se doni t’u ktheni diçka?

Bambali më ka bërë atë që jam. Prandaj është e rëndësishme për mua që t’u kthej diçka pas. Jam shumë krenar për atë që bëj për njerëzit atje. E njoh realitetin e jetëve të tyre. T’i bëj të buzëqeshin është e rëndësishme për mua.

Na tregoni një ushqim tradicional nga vendlindja juaj.

“Thieboudienne”, është oriz me peshk. Por ne preferojmë gjithashtu ta hamë me pulë apo mish tjetër. Është gjithashtu edhe “maafe”, një çomlek kikiriku që e dua shumë.

Përse zgjodhët numrin 17 te Bajerni?

Pas transferimit pyeta se cilët numra ishin ende të lirë dhe zgjodha 17. E di që e kanë veshur disa lojtarë të mëdhenj, plus 17 përbëhet nga 10 dhe 7, dy numra që më pëlqejnë shumë. Është numri perfekt për mua.

A e vizituat ndonjëherë Mynihun kur luanit në Salcburg?

Në fakt kam qenë disa herë në qytet me shokët. Dhe njëherë isha edhe në “Allianz Arena” dhe ndoqa një ndeshje Champions-i kundër Arsenalit. Në atë kohë as mund ta imagjinoja se një ditë do të luaja vetë.

Keni qenë në “Oktober fest”?

Fatkeqësisht ende jo, por mezi po pres. Kam edhe “Lederhosen” nga koha te Salcburgu. I kam ruajtur dhe më pëlqen t’i vesh gjithnjë sepse jam përgjithësisht shumë i interesuar për kulturat e tjera.

Përse mbani këtë model flokësh?

E keni për shiritin biond? Kam 10 vite që e mbaj. Doja të bëja diçka që se kishte askush tjetër. Ishte ideja e berberit tim. Fillimisht nuk doja ta bëja sepse e dija që prindërve nuk do t’u pëlqente kurrë. Por e bëra. Ata ishin shumë larg, por sigurisht që më telefonuan sapo e panë: “Sadio, çfarë u ke bërë flokëve? Nuk duken mirë. Hiqi!” I hoqa disa herë përpara se të shkoja në shtëpi. Por në Europë i leva sërish. Tani prindërit janë mësuar dhe e kanë pranuar.

Doni të vini një bast? Nëse fitoni Champions-in me Bajernin, do t’i lyeni shiritin me ngjyrë të kuqe?

Ok, pranoj.

Ndoshta fëmijët shumë shpejt do të vrapojnë në rrugë me modelin tuaj të flokëve.

Më mirë jo. Nuk do të doja që ata të hynin në telashe me prindërit e tyre për shkakun tim (qesh).

Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×