Sharl de Ketelere është blerja më e shtrenjtë e Milanit që kur drejtor është Paolo Maldini, por belgu nuk e ka për herë të parë vendosjen e rekordeve. Në moshën 12- vjeçare ishte ndër lojtarët më premtues për grupmoshën e tij, por në tenis. E tija është një e dhënë e natyrshme për sportin siç ka ndodhur me Le Bron Xhejmsin, që përpara se të bëhej yll basketbolli premtonte shumë në futbollin amerikan apo me Vitali Kliçkon që shkëlqeu në kikboks përpara se t’i vihej boksit.

Duke u rikthyer te blerja e Milanit, ishtrajneri i tij tek ekipet zinxhir të Bryzhit tregon: “Ishte i zoti në çdo sport. Një herë gjatë një turneu organizoheshin gara në disa sporte. Sharli ishte më i miri në gjithçka dhe ju siguroj se u garua në xhudo, basketboll, regbi, volejboll, hokej dhe kubb (version suedez i shqiptares toparasash, por luhet me shkopinj)”.
OPINIONET – Numri 90, që De Ketelere ka zgjedhur nuk është rastësor. Përfshin 9 dhe 10 si për të treguar se mund të luajë në disa pozicione. E në fakt ashtu ka bërë në sezonet e tij te Bryzhi ku ka provuar gjithçka përveç portës. Te Milani vjen si fantazist, por Pioli e di se mund t’i besojë edhe detyra të tjera, sidomos ato me sfond ofensiv.
Paolo Maldini e ka pëlqyer që në fillim dhe raportet që vinin nga vëzhguesit ishin gjithmonë pozitive. Përdor pak të djathtën, por në karakteristikat e tjera është i nivelit të lartë. Vrapon, njeh hapësirat dhe sheh korridore pasimi që jo të gjithë i dallojnë. Duhet të rregullojë metrat e parë të sprintit, por te Milani do të gjejë profesorë të shpejtësisë.
FIGURA E NËNËS – Në moshën 15-vjeçare De Ketelere rrezikoi të braktiste futbollin. Probleme me gjunjët ku ankonte shumë dhimbje. Trupi i tij po transformohej dhe djaloshi nuk po shkëlqente më. Ishte thjesht një problematikë e shkaktuar nga rritja e shpejtë me Sharlin që po humbte ekuilibrin mes gjymtyrëve. Gjithçka kaloi edhe falë mbështetjes së mamasë Isabel. Figurë qendrore e jetës së fantazistit të ri të Milanit.
Së bashku vuanin kur ai nuk ishte mirë, por së bashku analizonin gjithashtu ndeshjet. Ishte po mamaja e tij ajo që i ka gjetur shtëpinë në Milano ku herë pas here do ta vizitojë Zhozefiena. Në pamje të parë duket si motra binjake e De Keteleres, por është e dashura me të cilën frekuentohen prej disa vitesh.
MENDËSIA – Trajnerë, vëzhgues, shokë, rivalë apo thjesht ekspertë futbolli. Nuk ka dalë askush që të flasë keq për De Keteleren. Përshkrimi i përgjithshëm flet për një lojtar të fortë dhe me personalitet të spikatur. Sigurisht që në Belgjikë kanë dalë lojtarë edhe më të fortë, por askush nuk ka forcën mendore të De Keteleres, i cili për më tepër rrjedh nga një familje me nivel të lartë dhe është i arsimuar. Shoku i tij te Bryzhi, Noa Lang, ishte gjithashtu një profil i vlerësuar nga Milani. Kuqezinjtë, ashtu si edhe pretendentë të tjerë, kanë hequr dorë pasi holandezi përshkruhet si një gjaknxehtë. Por, Maldini nuk e zgjodhi për personalitetin, por edhe për cilësitë të cilat u hyjnë shumë në punë kampionëve të Italisë.

ZIKALTËR I LINDUR – De Ketelere ka qenë për 14 vite pjesë e Bryzhit. Gjithmonë me ngjyrat zikaltër veshur. Një kopje e fanellës së Interit praktikisht. Edhe fanella e dytë e Bryzhit duket e frymëzuar nga kushërinjtë e Milanit. E bardhë me elementë blu. De Ketelere në derbi do të ketë ndjesi të çuditshme kur ngjyrat e një jete t’i ketë si rivale.
Çuditë nuk mbarojnë sepse ndeshja e parë e kuqezinjve në transfertë do të jetë ndaj Atalantës që gjithashtu ka si ngjyra fanelle të zezën dhe blunë. Përpara Bryzhit, De Ketelere ka luajtur me Varsënerin që gjithashtu kishte fanellë zikaltër. Për pak kuqezi në jetën e belgut duhet të kalojmë te kombëtarja e Belgjikës.
Arena e Lajmit
and then