
Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, ka deklaruar se Amnistia fiskale shkon kundër dy kushteve që Shqipëria duhet të plotësojë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe barazia para ligjit.
E ftuar në RTSH, Tabaku tha se nëse kjo do të ndihmonte emigrantët, PD do ishte e para që do ta votonte.
“Jam përpjekur që në procesin e integrimit të jap mesazhe pozitive në nivelin e rolit të parlamentit dhe të rolit të opozitës. Nuk ka asnjë dyshim që PD ka qenë promotore kryesore e reformave për procesin e integrimit dhe të gjitha arritjet më të mëdha janë bërë nën drejtimin e PD. Nuk është habi që në 9 vitet e fundit, ne kemi ngecur në këtë proces dhe jam e sigurt që edhe përfundimi i negociatave, procesi i anëtarësimit do të kryhet në drejtimin e PD.
PD do të vijë më shpejt se ç’e mendoni ju në qeverisje. Dhe për këtë arsye, po thosha, jam përpjekur të jap mesazhe pozitive, pra jo vetëm të sulmohet. Duhet të japim alternativë. Unë po përpiqem që alternativën ta jap përmes procesit të integrimit dhe çdo gjë, çdo kritikë që bëj, e bëj edhe në kuadrin sesi do ta bënim ne ndryshe, si do ta bënim ne më mirë. E sigurt është që ne asnjëherë nuk do të kishim diskutuar ligje si pasaportat e arta apo amnistia fiskale në vitin e parë të hapjes së negociatave. PD në vitin 2011 ka pasur një propozim për amnistinë fiskale. Propozimi ynë është totalisht i ndryshëm nga ai që po ndodh tani, ku përfshihet dhe amnistimi i krimeve që lidhen me korrupsionin dhe me krimin e organizuar. Nëse do të ndihmonte emigrantët, do të ishim të parët që do ta votonim. Është normale që pas 30 viteve tranzicion të ketë një amnisti. Po të shohësh të ardhurat nga emigrantët, të paktën 5 vitet e fundit, janë në rënie. Emigrantët e kanë ezauruar kurbën e investimit të tyre këtu. Për t’iu rikthyer komenteve negative për nismat. Dëmi është i parikuperueshëm, sepse vende si Malta, që e kanë ligjin e pasaportave të arta, po kritikohen gjerësisht pse e kanë këtë ligj. Standardet e BE nuk janë për shitje. Shqipëria nuk duhet të shkojë në drejtimin e miratimit me asnjërën nga nismat. Përsa i përket amnistisë fiksale jemi rënditur në listën gri të pastrimit të parave. Na duhet të miratojmë një sërë ligjesh për të dalë nga kjo listë. Konsiderohemi si vend burim për sa i përket trafiqeve, konsiderohemi si vend që pastron para në dy industri të mëdha: në lojrat e fatit dhe në ndërtim. Të gjithë këto ndikojnë negativisht. Pse është BE kundra amnistisë fiskale? Së pari tërheq kapital kriminal dhe korruptiv, shkon kundër me dy kritere që duhet t‘i përmbushim: lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër korrupsionit. Së dyti, barazia para ligjit. Kur ti vendos gjoba 10 herë më të larta ndaj biznesve që paguajnë normalisht tatimet dhe paralelisht miraton një ligj për amnistinë fiskale që stimulon ekonominë informale, këto nuk shkojnë në të njëjtin drejtim”, tha Tabaku.