Menaxheri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka urdhëruar që himni i famshëm i Liverpulit, “You’ll Never Walk Alone” të shpërthejë në fushat stërvitore të klubit verior të Londrës, përpara një vizite të skuadrës së tij në “Anfield” sezonin e shkuar.
Përgatitja e çuditshme është vetëm një nga metodat që tekniku spanjoll ka përdorur për të përqendruar skuadrën e tij përpara vizitave të vështira si ato në stadiumin e Liverpulit. Në metodat e tjera të motivimit të skuadrës nga menaxheri i “Topçinjve”, zbuluar së fundmi në një dokumentar të “Amazon Prime” me titullin “Gjithçka ose Asgjë”, i cili do të transmetohet sot, Arteta u ka kërkuar lojtarëve të mbajnë duart për të ndier energjinë e shokëve të tyre të skuadrës, ndërsa ka sjellë edhe fotografin e klubit për të mbajtur një fjalim përpara ekipit.
Spanjolli nuk ka frikë të provojë diçka të re dhe madje e pranon vetë se ka disa ‘ide të çmendura’. Por disa prej tyre kanë dhënë rezultate. Në dokumentar, Arteta është filmuar duke u thënë lojtarëve të tij se udhëtimi në “Anfield” do të jetë vendimtar për sezonin e tyre.
Skuadra e Arsenalit sezonin e kaluar ishte më e reja në Premier Ligë dhe një numër i lojtarëve nuk e kishin përjetuar atmosferën e zjarrtë në “Anfield”.
“Gjëja më e rëndësishme në ‘Anfield’ është që emocionalisht duhet të jesh në gjendje për të luajtur atje”, i tha ai ekipit, ndërsa u mblodhën në qendrën stërvitore “Colney” në javën para ndeshjes. “Duhet të dini se çfarë është ‘Anfield’ dhe është, më besoni, shumë ndryshe nga çdo fushë që kam luajtur në Premier Ligë”.
Arena e Lajmit
